SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim çështjet ndaj ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo dhe ish-kryetarit Bashkim Dedja. Lulo dhe Dedja akuzohen për “deklarim të rremë të pasurisë”.
SPAK ka çuar dosjen në gjykatë për të dy për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive. Të dy ish-anëtarët e Kushtetueses, u shkarkuan nga vettingu për mos justifikim të pasurive.
NJOFTIMI
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 30.7.2021, përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kerkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr.137/1 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurit:
– Fatos Lulo, me detyrë ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rremë, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
Në të njëjtën datë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr. 137/3 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurit:
– Bashkim Dedja, me detyrë ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave privatè té personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme dhe të fshehjes, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.