14.5 C
Tiranë
Monday, October 28, 2024
spot_img

SPAK publikon detaje nga dosja hetimore për Metën dhe Kryemadhin për fshehjen e shpenzimeve të trajtimit mjekësor në Austri

Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, janë përfshirë detaje mbi trajtimet mjekësore të realizuara nga ish-presidenti dhe ish-bashkëshortja e tij në Austri, të cilat dyshohet se nuk janë deklaruar në formularët e pasurisë, siç kërkohet nga ligji për zyrtarët e zgjedhur dhe nëpunësit publikë.

Sipas SPAK, hetimi ka nisur pas kallëzimeve të paraqitura nga shtetasit Halit Valteri dhe Idajet Beqiri, të cilët pretenduan se Meta dhe Kryemadhi kanë fshehur shpenzimet për trajtime mjekësore dhe estetike jashtë vendit. Këto trajtime janë kryer në klinikën private “Golldenes Kreuz” dhe në spitalin shtetëror të Vjenës.

Nga hetimet e realizuara dhe letërporositë e dërguara autoriteteve austriake, SPAK ka siguruar dokumentacion që përfshin fatura shpenzimesh, mandate bankare, dhe të dhëna për transfertat financiare. Për shembull, një nga trajtimet e dokumentuara përfshin qëndrimin e Metës në klinikën “Lanserhof” në periudha të ndryshme gjatë viteve 2013-2023, me një total shpenzimesh që kap shifrën e 98,677 eurove. Po ashtu, në dosje përmendet një udhëtim në Nëntor 2014, për të cilin bileta e avionit për Metën është blerë nga agjencia “Odisea Travel & Tours” me udhëzimin e Kryemadhit.

Hetimet zbulojnë se pagesat për këto trajtime janë realizuar kryesisht nëpërmjet transfertave bankare dhe pagese në dorë, dhe për një pjesë të konsiderueshme të tyre nuk ka deklarime të sakta. Në dokumentacionin e përfshirë janë përmendur shuma specifike për trajtime të ndryshme. Për shembull, në Mars 2013, Meta ka paguar një shumë prej 7,341 euro për trajtime në klinikën “Konfraternitat,” ndërsa Kryemadhi ka realizuar pagesa për trajtime në të njëjtën klinikë për shuma që variojnë nga 500 deri në 1,474 euro. Për trajtimet e realizuara në “Lanserhof” në vitin 2015, shpenzimet e regjistruara kapin një total prej 13,244 euro për Kryemadhin dhe 4,359 euro për Metën.

Në dosje përmendet gjithashtu një komunikim mes Kryemadhit dhe një të tretë, ku detajohen udhëzime për blerje biletash dhe parapagime të ndryshme. SPAK thekson se, pavarësisht detyrimit ligjor, në deklaratat periodike dhe vjetore të pasurisë për vitin 2013, Meta dhe Kryemadhi nuk kanë përfshirë shpenzimet mjekësore, të cilat sipas akteve të ekspertimit kapin një vlerë prej 17,429 euro.

Për periudhën nga Korriku 2013 deri në Tetor 2023, në klinikën “Lanserhof” janë kryer tetë qëndrime të Metës dhe Kryemadhit. Në vitin 2023, nga data 15 deri më 27 Tetor, qëndrimi i tyre në këtë klinikë arriti në një shpenzim prej 38,815 euro, ku pagesat janë kryer me transfertë bankare dhe me karta krediti Visa.

Nga këto të dhëna, SPAK ka arritur në konkluzionin se Meta dhe Kryemadhi kanë realizuar trajtime dhe qëndrime në Austri të cilat, për shuma mbi 300,000 lekë, duhej të ishin deklaruar sipas legjislacionit në fuqi për transparencën e pasurive të zyrtarëve. Hetimi është ende në vazhdim, dhe këto fakte mbeten pjesë e një hetimi të plotë për fshehjen e pasurive dhe deklarime të rreme.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT