Një student i Universitetit të Delaware është arrestuar sot në Shtetet e Bashkuara nën akuzën për planifikimin e një sulmi të armatosur masiv brenda kampusit, me synimin për të vrarë sa më shumë njerëz.
Sipas New York Post, i arrestuari është 25-vjeçari Lukmaan Khan, në makinën e të cilit policia gjeti një arsenal të plotë armësh, jelek antiplumb dhe shënime të shkruara me dorë, ku ai shprehte dëshirën për të “vrarë të gjithë” dhe për t’u bërë “martir”.
Khan u ndalua në një parkim pranë universitetit, menjëherë pasi kishte mbaruar mësimet. Gjatë kontrollit, në bagazhin e automjetit të tij u zbuluan municione, një pistoletë, një pajisje për ta kthyer armën në pushkë automatike, si edhe karikatorë të shumtë.
Hetimet paraprake tregojnë se i riu po planifikonte të godiste Stacionin e Policisë së Universitetit, ndërsa mbante me vete një fletore ku kishte përshkruar në detaje fazat e sulmit.
Arrestimi ndodhi rastësisht, pasi policët e panë Khan të ulur në makinë dhe vunë re se ai po shfaqte sjellje të dyshimtë. Sipas FBI-së, i riu – i cili raportohet se është refugjat nga Afganistani – tentoi t’i rezistonte arrestimit.
Shefi i policisë lokale deklaroi se oficerët vepruan siç duhet dhe se ndërhyrja e tyre parandaloi një tragjedi të mundshme në kampusin universitar.






