Një studim i ri i publikuar në Science Direct ka ngritur shqetësime serioze mbi rrezikun që paraqet ngrënia e ushqimit nga enë plastike, duke theksuar një lidhje të mundshme me ndalimin kongjestiv të zemrës. Studiuesit kinezë, përmes një analize të thelluar me dy faza, kanë zbuluar se përdorimi i shpeshtë i enëve plastike ndikon negativisht në mikrobiomën e zorrëve, çka shkakton inflamacion dhe më pas dëmton sistemin e qarkullimit të gjakut.
Në pjesën e parë të studimit, mbi 3,000 qytetarë kinezë u monitoruan për zakonet e tyre të të ngrënit dhe problemet kardiake që shfaqnin. Më pas, studiuesit eksperimentuan me minj laboratorikë, të cilët u ekspozuan ndaj kimikateve plastike që çlirohen kur plastika nxehet ose vjen në kontakt me ujë të valuar dhe ushqim.
Rezultatet ishin të qarta: ekspozimi i shpeshtë ndaj plastikës lidhet me një rritje të ndjeshme të rrezikut për ndalim kongjestiv të zemrës.
Studiuesit theksojnë se plastika përmban rreth 20,000 kimikate, përfshirë BPA (bisphenol A), ftalatet dhe PFAS, të cilat njihen për efektet e tyre të dëmshme në shëndet. Këto substanca ndodhen shpesh në ambalazhet e ushqimit dhe janë të lidhura me një sërë sëmundjesh, përfshirë infertilitetin dhe kancerin.
Ky zbulim i ri shton presionin ndaj prodhuesve dhe rregullatorëve globalë për të rivlerësuar përdorimin e plastikës në industrinë ushqimore dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet që i kanosen shëndetit nga përdorimi i përditshëm i saj.