SHBA – Një stuhi e ashpër dimërore ka përfshirë qindra mijëra familje në Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike dhe vështirësi të konsiderueshme në trafikun rrugor dhe ajror.
Shtetet më të prekura janë Misisipi, Luiziana dhe Teksasi, ku rreth 730 mijë familje janë pa energji elektrike, sipas të dhënave nga “PowerOutage.us”. Në total, stuhia po ndikon mbi rreth 190 milionë njerëz, më shumë se gjysma e popullsisë së SHBA-së, duke e cilësuar këtë si një nga stuhitë më të rënda dimërore në dekadat e fundit.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka bërë të ditur se stuhia pritet të përhapet nga Nju Meksiko në jugperëndim deri në Maine në verilindje, duke goditur sot Nju Jorkun, Filadelfian dhe Uashingtonin. Shumë shtete kanë shpallur gjendjen e emergjencës dhe kanë apeluar tek qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi.
Kushtet e vështira kanë shkaktuar anulime të mijëra fluturimeve dhe mbyllje rrugësh, ndërsa shtresat e akullit krijojnë rreziqe të jashtëzakonshme për udhëtarët. Autoritetet kanë këshilluar banorët e Uashingtonit të mbajnë të karikuar telefonat dhe të kenë gati pajisje elektrike dytësore, duke shmangur përdorimin e makinave sa më shumë të jetë e mundur.
Rreziku i valës së ftohtit dhe reshjeve të dendura pritet të vazhdojë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për situata emergjente dhe paralizim të mundshëm të pjesëve të ndryshme të vendit.






