Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë e konsideron si presion me mjetet e pushtetit ndaj medias së lirë dhe të pavarur aksionin e ndërmarrë sot nga IMT dhe policia në resortin turistik “Prestige Resort” në pronësi të “Hysenbelliu Group”.
Sipas QTIL, aksioni i paligjshem vjen “pas një valë kritikash që media që pronësohen nga Hysenbelliu Group i bënë disa institucioneve shtetërore dhe drejtuesve të tyre”.
Deklarata nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë
Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë e konsideron si presion me mjetet e pushtetit ndaj medias së lirë dhe të pavarur aksionin e ndërmarrë sot nga IMT dhe policia në resortin turistik Prestige Resort në pronësi të Hysenbelliu Group.
Sot, më 2 shtator 2022, forca të IMT të mbështetur nga fadroma dhe grupe të gatshme të policisë nisën shkatërrimin e një pjesë të resortit turistik Prestige Resort, pas një valë kritikash që media që pronësohen nga Hysenbelliu Group i bënë disa institucioneve shtetërore dhe drejtuesve të tyre.
Fill më pas qeveria ndërmorri një aksion brutal, të pajustifikuar dhe të pambështetur në ligj ndaj pronave të grupit të biznesit që pronëson televizionin News 24, Balkanëeb, Gazetën Shqiptare, gazetën Panorama, Panorama Sport dhe Panorama tv.
Qëllimi i këtij aksioni është presioni mbi mediat për të zbatuar politika editoriale që mbështesin qeverinë, për të shuar zërin kritik ndaj saj dhe për të tulatur media të tjera jashtë grupit që ndërkohë janë kritike me qeverinë apo mund të jenë në të ardhmen.
Media në Shqipëri vuan nga mungesa e lirisë dhe pamundësia financiare. Qeveria përmes instrumentave shtetërorë mbështet dhe financon media që janë afër saj me politikat editoriale ndërsa sulmon, izolon mediat kritike.
Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë që ndër të tjera promovon transparencën dhe median e lirë, etike dhe objektive i kërkon qeverisë të ndalojë aksionin e saj dhe të distancohet nga praktika të tilla presioni ndaj medias.
Pa një media të lirë nuk mund të ketë qeverisje të mirë.
Tirane, 2 shtator 2022
Drejtori Ekzekutiv
Sami Nezaj