Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, është zotuar të ndëshkojë mbështetësit e ish-udhëheqësit të vendit, Jair Bolsonaro, pasi ata sulmuan Kongresin.
Mbështetësit e ish-liderit të ekstremit të djathtë sulmuan gjithashtu Gjykatën e Lartë dhe rrethuan pallatin presidencial.
Por policia rifitoi kontrollin e ndërtesave në kryeqytetin Brasilia mbrëmjen e së dielës pas disa orë përleshje me protestuesit.
Me të mbërritur në qytet, Lula vizitoi godinën e Gjykatës së Lartë për të parë dëmet e shkaktuara.
Policia Civile e Brasilisë tha se 300 persona janë arrestuar. Guvernatori i qytetit, Ibaneis Rocha, është shkarkuar nga posti i tij për 90 ditë nga Gjykata e Lartë.
Gjykatësi Alexandre de Moraes e akuzoi atë për dështimin për të parandaluar trazirat, ndërsa Rocha kërkoi falje për atë çfarë ndodhi.
Tubimet pro-demokracisë po thirren nga liderët dhe grupet e majta në të gjithë Brazilin.
Skenat dramatike, ku mijëra protestues të veshur me bluza dhe flamuj të futbollit të Brazilit, sulmuan policinë, vijnë vetëm një javë pas inaugurimit të Luiz Inácio Lula da Silva.
Ai urdhëroi gjithashtu mbylljen e qendrës së kryeqytetit – përfshirë edhe rrugën kryesore ku ndodhen ndërtesat qeveritare – për 24 orë.
Ministri i Drejtësisë Flavio Dino tha se rreth 40 autobusë që ishin përdorur për të transportuar protestuesit në kryeqytet ishin sekuestruar.
Bolsonaro ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të pranojë se ai humbi zgjedhjet e tetorit dhe javën e kaluar u largua nga vendi duke mos marrë pjesë në ceremonitë inauguruese, ku do të duhej ti dorëzonte brezin ikonik presidencial.
67-vjeçari – i cili besohet të jetë në Florida – dënoi sulmin dhe mohoi përgjegjësinë për inkurajimin e rebelëve në një postim në Tëitter rreth gjashtë orë pasi shpërtheu dhuna.
Duke folur para se të mbërrinte në Brasilia, Lula sulmoi forcat e sigurisë, të cilat i akuzoi për “paaftësi” për ndalimin e demonstruesve që të hynin në Kongres.
“Do të shihni në imazhet se ata po udhëzojnë njerëzit në shëtitjen në Praca dos Tres Poëers,” tha ai. “Ne do të zbulojmë se cilët janë financuesit e këtyre vandalëve që shkuan në Brasilia dhe të gjithë do ta paguajnë me forcën e ligjit”.