Gjatë vizitës së saj në Bruksel, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mori pjesë në sesionin plenar të European Parliamentary Week 2026 dhe në Asamblenë Parlamentare të EPP, ku trajtoi sfidat e Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian dhe përdorimin efektiv të fondeve europiane.
Tabaku bazoi fjalën e saj mbi raportin strategjik të Enrico Letta, “Much More Than a Market”, duke nënvizuar se fragmentimi ekonomik dhe institucional në Europë është një kërcënim për konkurrencën gjeoekonomike me SHBA dhe Kinën. Ajo theksoi nevojën për një “Liri të Pestë”, që përfshin kërkimin shkencor, inovacionin, dijen dhe arsimin, si domosdoshmëri për vendet kandidate që të mos mbeten thjesht tregje konsumi.
Një nga mesazhet kyçe të Tabakut ishte se fondet europiane nuk janë automatike. Ato varen nga respektimi i shtetit ligjor, funksionimi i institucioneve dhe standardeve të BE-së. “Gatishmëria për anëtarësim në BE nuk është deklaratë politike, është gatishmëri institucionale,” nënvizoi ajo, duke shtuar se konvergjenca ekonomike pa konvergjencë institucionale është iluzion.
Tabaku lidhi gjithashtu idenë e “Lirisë për të qëndruar” me nevojën që Ballkani Perëndimor të ofrojë mundësi punësimi dhe shërbime cilësore, për të parandaluar emigrimin e të rinjve dhe për të mbajtur kapitalin njerëzor brenda rajonit.
Në fushën e financave, ajo mbështeti Bashkimin e Tregjeve të Kapitalit, duke nënvizuar se Europa humb rreth 300 miliardë euro çdo vit për shkak të fragmentimit financiar dhe nuk mund të financojë tranzicionin e gjelbër, infrastrukturën digjitale dhe industrinë e mbrojtjes pa një union të kursimeve dhe investimeve. Tabaku gjithashtu theksoi rëndësinë e FDI screening për të mbrojtur tregun e përbashkët nga depërtimi i kapitalit me interesa gjeopolitike.
Mesazhi i saj ishte i qartë: shfrytëzimi i fondeve europiane kërkon një shtet ligjor të fortë dhe institucione funksionale, përndryshe investimet e BE-së nuk do të përfshijnë zhvillimin real ekonomik dhe social të rajonit.






