Në një fjalim të ashpër gjatë seancës plenare, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë për dështim të vazhdueshëm në mbrojtjen e shtresave më vulnerabël dhe për refuzimin sistematik të ligjit për minimumin jetik, një nismë që PD thotë se e ka propozuar prej disa legjislaturash.
“40% e shpenzimeve shkojnë për ushqim — Shqipëria e fundit në rajon”
Tabaku theksoi se kriza ekonomike dhe rritja e çmimeve kanë goditur më fort familjet e zakonshme, duke sjellë situatën në nivele të paprecedenta.
“40% e shpenzimeve familjare sot janë ushqimet. Në vitin 2012 çmimet e ushqimeve ishin 20% e atyre të BE-së, sot janë 92%,” deklaroi ajo.
Sipas deputetes demokrate, pensionistët dhe grupet sociale janë sot shtresat më të varfra në vend, ndërsa qeveria ka refuzuar edhe këtë vit çdo rritje domethënëse të pensioneve.
“Shqipërisë i duhen 53 vite për t’u afruar me BE-në”
Duke iu referuar të dhënave zyrtare, Tabaku u shpreh se vendi renditet i fundit në Ballkanin Perëndimor në mbështetjen sociale dhe në shumicën e treguesve ekonomikë.
“Shqipërisë i duhen 53 vite për të arritur standardet e Bashkimit Evropian. Kjo ka një emër dhe një përgjegjës: qeverisja aktuale,” u shpreh ajo.
“Parlamenti nuk është mbledhur kurrë për shumicën”
Në vijim të fjalës së saj, Tabaku akuzoi mazhorancën se në 13 vitet e drejtimit nuk ka hartuar asnjë politikë sociale që të mbështesë realisht shtresat e dizavantazhuara.
Ajo kujtoi se mocionet për debat të propozuara nga PD — për rendin, krimin e organizuar, zgjedhjet dhe minimumin jetik — janë sistematikisht anashkaluar nga maxhoranca.






