Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka ironizuar kërkesat e deputetëve të opozitës gjatë debatit në seancën plenare të sotme në Kuvend, duke komentuar zgjatjen e diskutimeve për shtyrjen e seancës nga e enjtja në të hënën.
Duke u drejtuar me ironi demokratëve, Balla u shpreh:
“Kësi hallesh paçi gjithmonë… Zotrote ke qenë ca kohë në qeveri të drejtuar nga Edi Rama në fakt. Është e kotë që harxhoni energji, edhe pse po flasim për një ligj për eficencën energjetike… U morët 30 minuta pse u shty seanca nga e enjtja në të hënën. Na lini të vijojmë me prezantimin sepse s’kemi energji për të humbur kot.”
Kjo deklaratë u bë mes tensioneve të zakonshme mes mazhorancës dhe opozitës, teksa kjo e fundit akuzoi qeverinë për bllokim të nismave të saj dhe shtyrje të qëllimshme të seancave. Balla kërkoi të kthehej vëmendja tek axhenda ligjore dhe jo në debate procedurale.






