Ndërkohë që Elbasani dhe qytete të tjera të Shqipërisë janë nën “pushtetin” e bandave kriminale, efektivja e Elbasanit, Anisa Kostani me gradën “nënkomisare” e cila u bë e njohur për publikun për faktin se mbante një gjarpër si kafshë shtëpiake, ka reaguar ashpër ndaj gazetarëve.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj social, Kostani i ka quajtur gazetarët “të degjeneruar” që po mundonin të nxinin punën e policisë që sipas saj ka qenë tepër aktive.
Në reagimin e bërë, Kostani nuk është kursyer me epitete fyese ndaj gazetarëve, duke shkelur kështu nenin 116 të rregullores së policisë, ku i ndalohet qartë një mënyrë e tillë e të shprehurit.
“Policia e Shtetit ka në strukturën e saj zëdhënësat, dhe janë ata që përmes njoftimeve zyrtare, dërgojnë informacion apo vlerësojnë ose shprehin ndonjë pakënaqësi të mundshme kundrejt reagimeve që bëhen në media, apo në rrjete sociale nga gazetarët dhe jo vetëm”-thuhet në nenin 116 të rregullores së policisë.