Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, patën një debat të nxehtë në sallën e Kuvendit lidhur me propozimin e Partisë Socialiste për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm që do të luftojë korrupsionin.
Lulzim Basha: “Krijohet aty kur do të varrosësh një ide të mirë, apo kur do të mos bësh asgjë. Prej më shumë se një muaji janë depozituar amendamentet e PD-së për të ndihmuar SPAK financiarisht, pse refuzoni ta sillni për diskutim? Çfarë iu shtyn të mbani për më shumë se 6 muaj e gjysmë larg transparencës? Pse bëni sikur nuk shihni propozimin tonë, ligjin për vettingun e politikanëve? Korrupsioni më i madh në Shqipëri është korrupsioni zgjedhor.”
Elisa Spiropali: “Parafolësi përmendi këtu komisionin që do votojmë sot, që ne kërkojmë dhe do ta bëjmë një komision jo vetëm me analiza politike, por do të prodhojë një plan kombëtar për mirëqeverisjen dhe sundimin e ligjit. Ju keni paqartësi historike dhe kronike, zoti Basha, sepse nuk ju përputhet ajo që thoni me atë që bëni. Ju thoni me fjalë se mbështesni reformën në drejtësi, dhe kur ishit në krye të asaj partie, braktisët zgjedhjet dhe Kuvendin për të mos votuar ligjet e reformës. Ju thoni vetting politikanësh, por keni dëshmuar kur ishit mbi kalë dhe keni shpëtuar me procedurë nga hetimi dhe gjykimi. Së fundmi, vettingu në politikë po bëhet nga SPAK. SPAK heton politikanët, ne e kemi lënë të lirë dhe i kemi çliruar duart, për të hequr dhe imunitetet kur duhet. Siç po ndodh sot dhe atëherë kur ishit pak më i ri.”
Basha: “Të doli për zot Elisa kur tha s’duam t’i fusim në rend dite amendamentet e PD-së. Për këtë është njësoj si shefi i saj të shpikë histori dhe të shkojë te pellazgët e ilirët për të na treguar se ata e kanë fajin për korrupsionin. SPAK ekziston për shkak të korrupsionit të Ramës dhe qeverisë së tij. Përsëris thirrjen edhe njëherë, sepse s’doni të merrni sipër votën kundër vettingut të politikanëve, kundër amendamenteve për SPAK. Ne duam një komitet koti që mos t’i kthejmë përgjigje shqiptarëve se përse s’duam të votojmë propozimet e PD-së për fuqizimin e SPAK dhe vettingun e politikanëve. Refuzimi juaj për të sjellë në këtë parlament ligjin për vettingun e politikanëve, refuzimi juaj për të sjellë në këtë parlament projektvendimin për heqjen e imunitetit të parlamentarëve, janë shprehjet më të qarta të mungesës tuaj totale të vullnetit për luftë kundër korrupsionit. Fakti është që komiteti apo komisioni që doni të krijoni nuk është gjë tjetër veçse një gjethe fiku për 10 muajt që i kanë mbetur një mazhorance 11 vite të zhytur kokë e këmbë në korrupsion.”