Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gazë njoftoi se të paktën 40 persona u vranë të hënën në sulmet izraelite në të gjithë territorin palestinez, ku prej më shumë se 50 ditësh është ndaluar hyrja e ndihmave humanitare.
Izraeli rifilloi ofensivën e tij në Rripin e Gazës më 18 mars, pas shpërbërjes së një marrëveshjeje armëpushimi që kishte ndalur në masë të madhe luftimet për dy muaj. Marrëveshja u prish pas mosmarrëveshjeve mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të cilësuar organizatë terroriste nga SHBA dhe Bashkimi Europian. Konflikti i përgjakshëm nisi pas sulmit të Hamasit në vitin 2023.
Sipas zyrtarit të Mbrojtjes Civile, Mohammed al-Mughayyir, i cili foli për AFP-në, mes viktimave ishin edhe tetë persona që humbën jetën në një sulm mbi shtëpinë e familjes Abu Mahadi në Jabalia, në veri të Gazës.
“Ata po flinin në shtëpitë e tyre, duke u ndjerë të sigurt, kur raketat goditën… kjo skenë të bën të dridhesh”, rrëfeu Abdul Majeed Abu Mahadi, 67 vjeç, i cili humbi vëllanë në këtë sulm tragjik.
“Nëse një person do ta shikonte këtë skenë, do të shihte fëmijë, gra dhe burra të moshuar të copëtuar. Të dhemb zemra, por çfarë mund të bëjmë?”, shtoi ai me dhimbje.
Kriza humanitare në Gaza vazhdon të thellohet, ndërsa mungesa e ndihmave ushqimore dhe mjekësore kërcënon jetën e mijëra civilëve.