Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur SHBA-në në ditën e parë të vitit. Të paktën 11 persona janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në klubin e natës Amazura në Queens, New York.
Departamenti i Policisë së New York-ut (NYPD) nuk ka dhënë ende detaje të plota mbi autorët ose motivet e sulmit. Megjithatë, pamjet dhe postimet në mediat sociale tregojnë një prani të madhe të forcave policore në vendngjarje.
Të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, dhe gjendja e tyre shëndetësore mbetet e paqartë për momentin.
Ky incident vjen pas një sulmi tjetër tragjik në New Orleans në orët e para të Vitit të Ri, ku 15 persona humbën jetën dhe mbi 30 u plagosën në një ngjarje të klasifikuar si akt terrorist.
Hetimet për të dyja ngjarjet janë në vijim, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin motivet dhe të kapin autorët e përfshirë.