Tentoi të kalonte mbi 20 mijë euro pa i deklaruar në doganë, kapet 40-vjeçari në Kapshticë
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare godet një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Sekuestrohen 21 800 euro, procedohet penalisht 40-vjeçari që nuk i deklaroi.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në kuadër të kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm një automjet tip “Opel”, me drejtues shtetasin F. D., 40 vjeç, banues në Selanik, Greqi.
Gjatë kontrollit, në çantën e dorës së 40-vjeçarit u gjetën 21 800 euro që ai nuk i kishte deklaruar siç përcaktohet në ligj. Shuma monetare u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, të cilët referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. D.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.