Thënia e vjetër “e qeshura të zgjat jetën” po merr një kuptim të ri, sidomos kur bëhet fjalë për shëndetin e zemrës. Një studim i fundit ka zbuluar se e qeshura ka një ndikim të jashtëzakonshëm në përmirësimin e shëndetit kardiovaskular, duke bërë që indet brenda zemrës të zgjerohen dhe rritur qarkullimin e oksigjenit në trup.
Hulumtimi i realizuar mbi pacientët me sëmundje të arterieve koronare ka treguar rezultate pozitive: ata që morën pjesë në një kurs të terapisë së të qeshurës shfaqën një reduktim të inflamacionit dhe një përmirësim të përgjithshëm të shëndetit. “Studimi ynë tregoi se terapia e të qeshurës rriti kapacitetin funksional të sistemit kardiovaskular,” tha Prof. Marco Saffi, autori kryesor i studimit.
Sipas Saffi, terapia e të qeshurës ndihmon në çlirimin e endorfinës, hormonit të lumturisë, i cili ul inflamacionin dhe ndihmon që zemra dhe enët e gjakut të relaksohen. Kjo gjithashtu kontribuon në uljen e niveleve të hormoneve të stresit, të cilat mund të ngarkojnë zemrën.
Për njerëzit që vuajnë nga sëmundje të zemrës, inkurajimi për të kaluar kohë me miqtë dhe familjen, duke u argëtuar dhe qeshur, mund të ketë efekte të menjëhershme dhe afatgjata në përmirësimin e shëndetit të tyre. Saffi rekomandon që të gjithë të përpiqen të bëjnë gjëra që i bëjnë të qeshin të paktën dy herë në javë për të mbajtur zemrën të shëndetshme.
Ky studim i rëndësishëm u prezantua në takimin vjetor të Shoqatës Europiane të Kardiologjisë në Amsterdam, ku shkencëtarët dhe ekspertët nga mbarë bota diskutuan mbi risitë në trajtimin dhe menaxhimin e shëndetit të zemrës.