Hagë, 20 gusht 2025 — Procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së hyn në një fazë vendimtare. Në konferencën përgatitore të mbajtur sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, avokati i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, njoftoi se mbrojtja ka përgatitur një listë të gjerë dëshmitarësh, mes tyre edhe figura të njohura ndërkombëtare.
Sipas Prosper, ndër dëshmitarët që pritet të përdoren janë edhe diplomati i njohur amerikan Richard Holbrooke dhe senatori Bob Dole, dy figura kyçe që kanë luajtur rol të rëndësishëm gjatë konfliktit në Kosovë. Prosper tha se këto dëshmi janë “shfajësuese” dhe lidhen drejtpërdrejt me lëndën e prokurorisë.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, konfirmoi zyrtarisht se faza e paraqitjes së provave nga mbrojtja do të nisë më 15 shtator 2025. Ekipi i Thaçit, i përfaqësuar edhe nga avokati Luka Mishetiq, synon ta përmbyllë paraqitjen e dëshmitarëve deri në fund të nëntorit.
Ndërkohë, mbrojtja e Jakup Krasniqit, e përfaqësuar nga Aiden Ellis, njoftoi se për prezantimin e provave të tyre do t’u nevojitet një javë, pa përfshirë kohën për kundërpyetje. Megjithatë, data përfundimtare për mbylljen e fazës së mbrojtjes mbetet e paqartë, pasi kjo do të varet nga përfundimi i provave të Thaçit.
Në të njëjtën kohë, është konfirmuar se mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ka hequr dorë nga e drejta për të paraqitur prova në këtë proces.
Gjykata, ndërkohë, ka marrë edhe një vendim të ri lidhur me vizitat e Hashim Thaçit në objektin e paraburgimit. Pas kërkesës së Prokurorisë, është vendosur ndalimi i vizitave për 11 persona, mes tyre Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati dhe katër persona të tjerë, emrat e të cilëve janë të redaktuar.
Këto kufizime hyjnë në fuqi menjëherë dhe vlejnë vetëm për vizitat jo të privilegjuara.






