13.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Tirana merr zyrtarisht stafetën si Kryeqyteti Europian i Rinisë për 2022/ Veliaj: “Do të përdorim të gjithë ditët e fundit dhjetorit për të planifikuar një…

Tirana ka marrë stafetën e kryeqytetit Evropian i Rinisë për vitin 2022. Kryebashkiaku Erion Veliaj i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të çelësit në Lituani, deklaroi se synimi i kësaj iniciative është që të promovojë të rinjtë shqiptarë nga të gjitha fushat.

Në arenën e elektrizuar nga muzika dhe të rinjtë, Kryetari i Bashkisë së Klaipedas në Letoni, Vytautas Grubliauskas, i dorëzoi në mënyrë simbolike kryebashkiakut Erion Veliaj çelësin që simbolizon marrjen e detyrës.

“Është një moment shumë i veçantë t’ia dorëzoj sot çelësin kryebashkiakut të Tiranës. Ne duhet ta mbështesim kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Shqipëria dhe Tirana janë vende për të cilat do të ndihemi krenarë dhe do të themi: -Po, ne kemi qenë kryeqytet i rinisë para këtij kryeqyteti të mrekullueshëm. Tani ky simbol besimi është në duart tuaja”, u shpreh Grubliauskas.

Sipas Veliajt, të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, e Maqedoninë Veriore dhe jugut të Malit të Zi mund të bëhen pjesë e kësaj sipërmarrjeje.

Si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, Tirana do të ketë një program ambicioz që do të synojë të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve të saj dhe do të përpiqet të lidhë qytetin dhe rininë e tij me vlerat evropiane.

“Sot sapo kemi marrë zyrtarisht stafetën për Tiranën, nga Klaipeda e Lituanisë që ishte kryeqyteti evropian i rinisë për vitin 2021. Nga sot është Tirana zyrtarisht kryeqyteti i rinisë. Do të përdorim të gjithë ditët e fundit dhjetorit për të planifikuar një kalendar që deri më tani kanë shkuar 1000 aktivitete. 1000 aktivitete ku ne duam që të rinjtë të lidhen me njëri-tjetrin nga shumë fusha, sporti, kultura apo sipërmarrja rinore, apo edhe aktivistët e mjedisit.  Ne duam që të promovojmë të rinjtë shqiptarë kudo që ndodhen  në Kosovë, në Luginën Preshevë, në Maqedoninë Veriore dhe në jug të Malit të Zi…”, deklaroi Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjet për të gjithë ata që kanë një ide për aktivitete për t’u bërë pjesë e kalendarit fantastik. “Do kemi disa aktivitete që do jenë masive nëpër të gjithë sheshet dhe terrenet e mëdha të Tiranës. Sigurisht do kemi edhe disa gjëra që janë më të vogla në nivel shkolle, lagje, në nivel komunitar. Për këto ide ne sapo kemi hapur një thirrje. Është një thirrje për të gjithë organizatat rinore, universitetet, për të gjitha organizimet rinore, qofshin ato kulturore apo sportive që të aplikojnë, që të kemi mundësi t’i mbështesim financiarisht për të realizuar të gjitha ëndrrat dhe gjithë pasionet dhe idetë që kanë në vitin 2022”, nënvizoi Veliaj.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT