Gjin Gjoni, i konsideruar si simboli i korrupsionit të drejtësisë shqiptare, i cili ia mbathi nga sistemi në korrik të këtij viti për t’i shpëtuar përballjes me Vetingun, vijon të korruptojë dhe të vendosë në shërbim të interesave të tij, zyrtarë të lartë të qeverisë së Edi Ramës, duke i përdorur në të njëjtën kohë kundër investitorëve të huaj në Shqipëri. Ndërsa Komisioni i Vetingut ka fshehur dy dosje të Gjin Gjonit për pasuri të paligjshme, pastrim parash, mashtrim me pasurinë, falsifikime dhe lidhje me krimin, dosje për të cilat sot duhet të ishte marrë i pandehur nga SPAK, Gjin Gjoni vijon pazaret me krerët e doganave dhe Ministrinë e Financave, duke siguruar licenca të reja për gruan e tij, Elona Çaushi, për ushtrimin e aktivitetit “Duty Free” në pikat doganore, me anë të kompanisë së saj,
Më 24 shtator të vitit 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i ka dhënë kompanisë së gruas së Gjin Gjonit, Albania Duty Free Distribution (ADFD), një licencë për “Diplomatik Duty Free”, duke i dhënë monopolin për aktivitetin Duty Free në Shqipëri, pra për shitjet pa taksa. Koha e dhënies së licencës përkon me një rotacion në krye të doganave, kur Edi Rama largoi Gjon Bardhin dhe emëroi Gent Gazhelin, një personazh i shënjuar nga aferat, skandalet dhe dështimet. Gazheli ka qenë më parë financiar i PS-së, më pas kreu i Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, më pas Ambasador në Turqi dhe në fund kreu i Përgjithshëm i Doganave. Por, më i implikuar në këtë skandal është ish-kreu i doganave Gjon Bardhi, i akuzuar për përfshirje në kontrabandën e mallrave kinezë që hynin në Shqipëri.
Siç duket Gjin Gjoni nuk e ka pasur të vështirë për të vendosur në shërbim të interesave të tij krerët e doganave dhe struktura të tjera doganore, përfshirë edhe segmente të Ministrisë së Financave. Skandali konsiston në faktin se Ministria e Financave dhe Doganat janë në gjyq për Gjin Gjonin dhe Elona Çaushin, për t’u hequr një tjetër licencë që kanë marrë në mënyrë të paligjshme, për aktivitetin Duty Free në Rinas, licencë të cilën çifti e përdori për të larguar kompaninë amerikane International Cruise Duty Free, ICDF, nga Rinasi, e cila kishte fituar tenderin dhe kishte lidhur një kontratë me TIA-n, për menaxhimin e dyqaneve pa taksa në Aeroport. ADFD-ja e Elona Çaushit e rinovoi licencën për 24 orë, në kundërshtim flagrant me ligjin, me ndihmën e ish-zëvendësministrit Elton Haxhi, të cilin e shëtiste Gjin Gjoni me avion.
Teksa gjyqi vazhdon në gjyqësorin shqiptar për këtë skandal, i cili ilustron klimën për investimet e huaja në Shqipëri, Doganat, nën hijen e Ministrisë së Financave, i japin një tjetër licencë gruas së Gjin Gjonit, duket konfirmuar se korrupsioni në Shqipëri vijon të jetë i bashkuar kundër shtetit të së drejtës dhe investimeve të huaja. Skandali, i cili çuditërisht po mbahet i fshehtë nga Gent Gazheli, ka alarmuar përfaqësitë diplomatike të Perëndimit në Tiranë, të cilat kanë shfaqur një interes të jashtëzakonshëm për këtë çështje. Kujtojmë se përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe Gjermane në Tiranë kanë ndjekur në gjykatë procesin gjyqësor mes kompanisë së gruas së Gjin Gjonit dhe Ministrisë së Financave, Doganave, TIA-s, Avokaturës së Shtetit dhe kompanisë amerikane ICDF për çështjen e dyqaneve pa taksa në Rinas.
Dy përgjegjësit kryesorë që ndihmuan Gjin Gjonin dhe Elona Çaushin të kontrollonin dyqanet në Rinas edhe pse kishin humbur tenderin dhe u mbaronte kontrata në 27 gusht 2019, janë ministrja e Financave Anila Denaj dhe ish-zëvendësministri Elton Haxhi. Denaj dhe Haxhi i rinovuan licencën kompanisë së Elona Çaushit, Albania Duty Free Distribution (ADFD), brenda 24 orëve, në mes të gushtit 2019, për ushtrimin e aktivitetit Duty Free në Rinas. Rinovimin e autorizimit apo licencës e ka firmosur Elton Haxhi, pa pasur një kontratë, pa dokumentacion të plotë sipas ligjit etj., pra në mënyrë korruptive. Edi Rama e shkarkoi Haxhin pas një takimi që pati me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Që Denaj dhe Haxhi ishin vegla të Gjin Gjonit, këtë e kishte paralajmëruar gruaja e tij, Elona Çaushi, në një letër shantazhuese që i ka dërguar TIA-s në 17 maj 2019. Çaushi po i bënte presion TIA që t’ia linte asaj dyqanet dhe jo kompanisë amerikane International Cruise Duty Free, ICDF, që kishte lidhur një kontratë me Tirana International Airport, për të menaxhuar dyqanet në zonën Duty Free të këtij aeroporti.
“Siç e kemi theksuar dhe më parë, për sa i përket ligjit, ne posedojmë licencën dhe për ne është shumë e lehtë dhe shumë i shpejtë rinovimi formal i licencës. Ndërkohë që nëse vjen një operator tjetër, atij do t’i duhen të paktën 6-muaj për të marrë licencën, gjithmonë në qoftë se dogana ia miraton atë”, deklaron Çaushi.
Më tej, kur afera u bë publike dhe nisi të shqetësohej edhe Ambasada Amerikane për faktin se një rrjetë e madhe korrupsioni në Tiranë nuk linte kompaninë amerikane International Cruise Duty Free të merrte në dorëzim dyqanet në Rinas, ministrja Denaj ia anulon autorizimin gruas së Gjin Gjonit.
Licenca u anulua në 30 shtator 2019, me argumentin se ADFD nuk kishte kontratë me TIA për Duty Free, pasi kontratën e kishte kompania amerikane. Por, Gjin Gjonit kaq ndihmë i duhej, sa për të krijuar një alibi. Ai vuri në lëvizje njerëzit e tij në drejtësi që nuk kanë dalë ende para Vetingut. Me anë të gjyqtarit Avni Sejdi, Gjin Gjoni rrëzoi vendimin e dytë të Ministrisë së Financave për t’i anuluar autorizimin kompanisë së gruas së tij, për kontrollin e dyqaneve. Kur u pyetën në gjyq se pse ja rinovuan dhe ia anuluan sërish licencën, përfaqësuesit e Ministrisë së Fiancave thanë se kishin vepruar në mirëbesim dhe se nuk e dinin se kompania e Elona Çaushit kishte humbur tenderin me TIA dhe nuk i plotësonte më kushtet për licencë.
Por kjo gënjeshtër ishte shumë e trashë për t’u besuar. E vërteta është se Elton Haxhi ishte zari i Gjin Gjonit në ministri. Por, edhe Haxhi, nuk mund të vepronte pa miratimin e Denajt. Dhe rinovimi i autorizimit nuk është favori i parë që Denaj dhe Haxhi i kanë bërë Gjin Gjonit. Ata kanë krijuar një tjetër alibi, për të mbajtur nën kontroll dyqanet në Rinas.
Në gusht, Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, pasi nxorën jashtë loje gjyqtarin Arjan Aliaj, gjetën gjyqtaren KÇK Mimoza Kajo-Brahimi, e cila vendosi që kompania e Elona Çaushit të vijojë aktivitetin tregtar në Aeroportin e Rinasit, deri në zgjidhjen përfundimtare të padisë. Vendimi ishte skandaloz dhe korruptiv. Në seancë nuk u thirr as pala tjetër TIA. Megjithatë, vendimi i gjykatëses Mimoza Kajo-Brahimi, i cili tashmë është ankimuar në Apel, bazohet edhe në një klauzolë ligjore që implikon rëndë Ministrinë e Financave.
Sipas nenit 248 të Kodit Doganor dhe nenit 638/2 të vendimit të qeverisë nr. 199, 2017, Ministria e Financave duhet të lajmëronte 60 ditë para përfundimit të kontratës ADF-në, se nuk do t’i rinovohej licenca për ushtrimin e aktivitetit tregtar në Rinas. Ministria nuk e ka përmbushur këtë detyrim dhe ky ka qenë një argument i fortë ku është bazuar edhe vendimi i gjykatës. Ky detyrim nuk është përmbushur qëllimisht nga Anila Denaj dhe Elton Haxhi, duke i krijuar një tjetër alibi të fortë procedurale Gjin Gjonit, si mjeshtër i manovrave.
Kur u pyetën përfaqësuesit e Ministrisë së Financave se pse nuk e kanë zbatuar këtë detyrim, ata thanë se nuk dinin gjë. Megjithatë, këto veprime korruptive të dyshes së Financave pro çiftit Gjoni dhe kundër kompanisë amerikane, nuk i justifikojnë vendimet e gjyqtarëve KÇK Avni Sejdi dhe Mimoza Kajo Brahimi.
Sipas kodit doganor dhe vendimit të qeverisë nr. 199, 2017, duhej që edhe kompania e Elona Çaushit të lajmëronte Ministrinë e Financave për humbjen e tenderit me TIA-n që sillte si pasojë mbarimin e kontratës dhe cënimin e autorizimit. Të gjitha këto lëvizje të dokumentuara konfirmojnë bashkëpunimin e çiftit Gjoni dhe Ministrinë e Fiancave kundër kompanisë amerikane për të mbajtur nën kontroll në mënyrë të paligjshme ambientet Duty Free në Rinas
Tashmë Doganat dhe Ministria kanë përsëritur të njëjtin veprim që kanë bërë një vit më parë, dhe që gjoja po e kundrështojnë në gjykatë. Edhe TIA, pas emërimit të drejtorit të ri, Costandin Von Alvensleben, e ndryshoi pllakën dhe nisi pazaret me Gjin Gjonin dhe gruan e tij. Këtë e konfirmojnë letra sekrete dhe veprime të dukshme publike. Por, ka këllqe Gjin Gjoni, një veteriner plepist me dosje të zeza pastrimi parash, të sfidojë hapur amerikanët, duke u marrë me vendime mafioze gjykatash dhe zyrtarë të korruptuar, të drejtën e ushtrimit të aktivitetit Duty Free në Rinas? Në lojë janë edhe Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Gjin Gjoni është një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës, i cili pritet ta kandidojë edhe si deputet në emër të LSI. Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi ka qenë sekserja e gruas së Gjin Gjonit, ku shkonte dhe i rinovonte licencën për aktivitetin Duty Free.