Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fabrikën “Sews Cabind Albania” në Bathore, ku një 21-vjeçar, Juris Beçaj, ka humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, punëtorët kanë telefonuar disa herë shërbimin e Urgjencës Kombëtare, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Është telefonuar ambulanca disa herë dhe kulmi, ambulanca nuk i ka hapur telefonin. Ka mbyllur sytë në lule të rinisë një djalë si drita, sepse askush nuk iu përgjigj në kohë. Kjo është mjekësia jonë,” – tha një qytetare që ndodhej pranë fabrikës.
Sipas dëshmitarëve, pas ngjarjes tragjike, fabrika ka vijuar punën normalisht, pa asnjë nderim për viktimën.
“Nuk iu dha as nderimi më i vogël. Vazhduan punën sikur të mos kishte ndodhur gjë. Kjo është e turpshme,” – shtoi ajo.
Autoritetet policore dhe shëndetësore kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes dhe për të verifikuar pretendimet mbi vonesën apo mungesën e reagimit të ambulancës.






