Një ngjarje e rëndë ka tronditur Mbretëria e Bashkuar, ku një adoleshent 16-vjeçar ka humbur jetën, duke ngritur shqetësime mbi përdorimin e inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj te të rinjtë.
Viktima, Luca Cella Walker, nga Hampshire, ndërroi jetë më 4 maj të vitit të kaluar. Gjatë seancës gjyqësore në Winchester, u bë e ditur se vetëm disa orë para ngjarjes, ai kishte kërkuar në ChatGPT informacione lidhur me mënyrat për t’i dhënë fund jetës.
Sipas hetimeve, i riu kishte qenë aktiv në platformë gjatë natës, ndërsa autoritetet theksuan se sistemi i inteligjencës artificiale përmban mekanizma për të sugjeruar ndihmë dhe mbështetje, por këto mund të anashkalohen nga përdoruesit.
Familjarët e përshkruan 16-vjeçarin si një djalë të qetë dhe të ndjeshëm, ndërsa theksuan se nuk kishin dijeni për vështirësitë e tij emocionale. Ata e cilësuan situatën si një “betejë të padukshme”.
Nga ana tjetër, përfaqësues të OpenAI deklaruan se kompania ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar mënyrën se si sistemet e saj identifikojnë shenja të shqetësimit emocional dhe për të orientuar përdoruesit drejt ndihmës profesionale në situata të ndjeshme.
Rasti ka hapur një debat më të gjerë mbi përgjegjësinë e platformave digjitale dhe mbrojtjen e të rinjve në hapësirën online, ndërsa ekspertët kërkojnë rregullim më të fortë dhe ndërgjegjësim më të madh për shëndetin mendor.






