Donald Trump mbajti një fjalim përpara mbështetësve të tij në Palm Beach, Florida, këtë mëngjes, ku falënderoi amerikanët për mbështetjen dhe e përshkroi momentin aktual si një “epokë e artë” për Amerikën.
“Falënderoj amerikanët për nderin që më zgjodhën si presidentin e 47-të dhe 45-të gjithashtu. Do të luftoj për ju dhe familjet tuaja, për të ardhmen. Do të luftoj me ju me çdo mundësi që kam. Të kemi një Amerikë me prosperitet që amerikanët meritojnë. Një epokë e jashtëzakonshme për Amerikën,” tha Trump. Ai deklaroi se partia e tij po fiton në shtetet kryesore dhe theksoi se janë në rrugën drejt fitores edhe në shtete të tilla si Michigan dhe Alaska, duke përmendur se kjo do t’i sigurojë 350 vota elektorale.
“Nuk kishte asnjë rrugë tjetër përveç fitores. Kemi fituar gjithashtu votën popullore, që është madhështore,” theksoi ai.
Trump premtoi se do të angazhohet për të përmirësuar kufijtë e vendit dhe për të ndihmuar në shërimin e Amerikës, duke vënë theksin te përkushtimi i tij dhe i partisë për të sjellë ndryshim.
“Ne do të ndihmojmë vendin tonë që të shërohet, ne do të rregullojmë kufijtë dhe gjithçka,” shtoi ai.
Gjithashtu, ai foli për atentatin e 14 korrikut, kur u qëllua në vesh nga një 20-vjeçar gjatë një tubimi në Pennsylvania, duke deklaruar se shpëtimi i tij ishte një shenjë që ai ka një mision për të përmbushur: shpëtimin e Amerikës.
“Zoti më shpëtoi jetën për një arsye, për të shpëtuar vendin tonë dhe për të rikthyer madhështinë amerikane e ne do ta përmbushim këtë mision. Ne do të vëmë të gjithë energjinë tonë në shërbim, për të bërë atë punën që ju më keni besuar. Motoja jonë është e thjeshtë: premtimet që jepen duhet të mbahen, dhe askush nuk do të më pengojë për të mos mbajtur premtimet,” përfundoi Trump. Ai u bëri thirrje amerikanëve të lënë mënjanë ndarjet dhe të bashkohen për të ecur përpara si një komb i vetëm.