Një ngjarje tronditëse është regjistruar këtë të martë në fshatin Baincë të komunës së Lipjanit, ku një burrë, i raportuar më herët si i zhdukur, është gjetur i groposur.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri me dije se rasti po trajtohet si vrasje e rëndë.
“Sot rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar). Hetuesit policorë, në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet procedurale, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim,” – tha Ahmeti.
Sipas informacioneve paraprake, trupi është zbuluar nga familjarët e viktimës, të cilët kishin denoncuar zhdukjen e tij disa ditë më parë. Dyshimet e para flasin për shtetasin Enver Bajraktari, si personi që mund të jetë viktima, por ende pritet konfirmimi zyrtar nga autoritetet pas përfundimit të autopsisë.
Ende nuk dihen motivet e mundshme të krimit, ndërsa autori apo autorët mbeten të paidentifikuar. Hetimet janë në vijim dhe policia bashkë me prokurorinë po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje makabre, që ka tronditur komunitetin lokal.






