8.5 C
Tiranë
Friday, November 29, 2024
spot_img

Vaji i lulediellit nivele rekord, çmimi i shumicës arrin 430 lekë/litër

Arrin nivele të frikshme në tregun e huaj çmimi i shitjes me shumicë të vajit ushqimor të lulediellit.

Në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, sipas importuesve, sot çmimi i shitjes së vajit me shumicë arriti 430 lekë për litër nga 380 lekë për litër që ishte çmimi i furnizimeve 10 ditë më parë.

Përveç shtrenjtimit të lartë të çmimit që parashikohet të arrijë deri 500 lekë për litër, importuesit e vajit paralajmërojnë se nga muaji qershor, në tregun shqiptar do të ketë mungesë të produktit.

Administratori i kompanisë së vajit të lulediellit “Bomira”, Ylli Aliaj, tha për Monitor se çmimi se ndryshimet e çmimeve në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut nga ku furnizohet kompania nuk po lëvizin më me ditë, por me orë.

“Sot çmimi i vajit të lulediellit të përpunuar në këto shtete ishte 3,100 euro për ton apo 430 lekë për litër nga 2,000 euro deri 2,500 euro për ton që ishte javën e kaluar. Nuk jam furnizuar me këtë çmim, pasi kam kryer pagesën 10 ditë më parë për furnizime me çmim 380 lekë për litër. Stoku në treg zgjat 2 deri në 3 javë, ndërkohë çmimet e shumicës nuk lëvizin më me ditë, por me orë”.

Sipas tij shtrenjtimi i lartë i vajit është ndikuar nga rënia e ofertës. Aliaj pohon se rënia e prodhimit nisi para luftës Rusi-Ukrainë, që në shtatorin e vitit të kaluar.

Çmimi i vajit po shënon rritje të lartë në tregjet e huaja, për shkak të ofertës të ulët dhe kërkesës të lartë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk prodhojnë vaj luledielli, pas mbylljes së tregut me Ukrainën dhe Rusinë po furnizohen nga Rumania, Bullgaria dhe Hungaria”, pohon z. Aliaj.

Situata është e ngjashme edhe për importuesin tjetër të vajit kompaninë “Erbiron” që tregton vajin hungarez “Floriol”. Aktualisht kompania po tregton në treg vajin stok të furnizimit të muajit mars që është blerë 1,8 euro për litër.

Për muajin prill, furnizimet në tregun hungarez do të jenë me çmim 2,8 euro për litër pa përfshirë shpenzimet e taksave dhe transportit.

Për të zbutur rritjen e çmimeve për konsumatorin, importuesit e vajit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë me masa fiskale, duke hequr çmimet e referencës për zhdoganimin e vajit të përpunuar dhe uljen e TVSH-së për mallrat e shportës.

Në tregun e shitjes me pakicë, vaji i lulediellit ka shënuar rritjen më të lartë të çmimit në produktet e shportës ushqimore. Javën e kaluar, vaji “Floriol” u tregtua 330 lekë për litër nga 249 lekë për litër që ishte në muajin shkurt (32,5% rritje).

Nga qershori, në treg nis mungesa e vajit të lulediellit

Importuesit pohojnë se në këtë situatë krize nuk përbën më shqetësim çmimi i vajit të lulediellit, por mungesa e gjetjes të produktit.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Erbiron”, që importon vajin e ambalazhuar hungarez “Floriol”, z. Tedi Maraj pohoi për Monitor se nga muaji qershor dhe gjatë gjithë stinës së verës në treg do të ketë mungesë të produktit. Maraj thekson se kompania nuk mund të krijojë më tepër se 30 ditë rezerva, pasi në Hungari nuk gjen më furnizime.

“Për muajin prill kemi siguruar furnizime me çmim 2,8 euro për litër nga 1,8 euro për litër që u furnizuam në shkurt. Këto furnizime zgjasin 20 deri 30 ditë. Duke nisur nga muaji qershor e kemi të pamundur të furnizohemi nga Hungaria, pasi nuk ka më prodhim.

Çmimi i vajit nuk është më problem, shqetësuese është sigurimi i tij. Në këtë situatë kur kërkesa nga shtetet e Europës është e lartë dhe oferta është e ulët në vendin tonë mungesa e furnizimeve me vaj luledielli do të zgjasë gjatë gjithë stinës të verës deri në muajin shtator”, pohon Maraj.

Oferta e ulët e vajit të lulediellit këto ditë është e pranishme edhe në Bullgari, sipas përfaqësuesit të kompanisë të vajit “Bomira”.

Shtrenjtohet 10% edhe vaji i ullirit për sallatë

Vaji i ullirit të sallatës është shtrenjtuar 10%. Në dyqanet e tregtimit të produkteve ushqimore, vaj i ullirit për sallatë po tregtohet 320 lekë për litër nga 290 lekë për litër që ishte në muajin shkurt.

Prodhuesit kryesorë të vajit të ullirit në vend pohojnë se rritja për këtë produkt është ndikuar nga shtrenjtimi i vajit të lulediellit që është pjesë e formulës për vajin e ullirit të sallatës. Rritja e çmimit gjithashtu është ndikuar nga shtrenjtimi i materialit plastik të ambalazhimit në tregjet e huaja, tapave dhe energjisë elektrike.

Rritja e çmimeve të produkteve bazë të shportës, e ka zhvendosur përdorimin e vajit të ullirit si produkt luksi. Operatorët e tregut thonë se kjo ka ndikuar për rënien e shitjeve 20%.

Prodhuesit paralajmërojnë se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore do të thellojë më shumë rënien e shitjeve të vajit të lulediellit deri në 50%

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT