Më shumë se 50,000 banorë të Valencias dolën në rrugët e qytetit të shtunën për të shënuar përvjetorin e përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër menaxhimit të katastrofës nga autoritetet. Demonstruesit mbanin fotografi të viktimave dhe kërkonin dorëheqjen e udhëheqësit rajonal, Carlos Mazón, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse në Evropë në dekadat e fundit.
Sipas protestuesve dhe mediave lokale, administrata e Mazonit nuk lëshoi alarme paralajmëruese për përmbytjet deri vonë në mbrëmje, ndërkohë që agjencia kombëtare e meteorologjisë kishte paralajmëruar rrezikun maksimal shumë orë më parë. Përmbytjet e 29 tetorit 2024 prekën 78 komuna dhe shkaktuan 229 viktima, shumica të moshuar, ndërsa një trup u gjet edhe këtë javë, pothuajse një vit më pas.
Mazón u kritikua ashpër pasi, gjatë ditës së katastrofës, mori pjesë në një ceremoni turistike dhe një drekë publike, duke lënë shumë qytetarë të ndihen të braktisur. “Mazón nuk ishte aty ku duhej të ishte, ai nuk ishte në lartësinë e detyrës,” tha Gonzalo Bosch, një nga protestuesit. Demonstruesit marshuan në qendër të qytetit të tretë më të madh të Spanjës, duke mbajtur pankarta me kërkesa për dorëheqje dhe ndëshkim penal ndaj udhëheqësit rajonal.






