Pas dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe Henkrik Hoxhaj të cilët kanë marrë statusin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, janë zbardhur një sërë ngjarjes duke nisur që nga viti 2011 e deri më tani. Pas operacionit “Plumbi i artë” që u zhvillua të enjten e javës që shkoi, policia ra në gjurmët e shumë ngjarjeve që nga grabitjet deri tek vrasjet e bujshme të ndodhura në 10 vitet e fundit.
Mes të arrestuarve është edhe emri i Gentian Sharrës, i cili sipas dëshmive të Dumanit, është i përfshirë në disa grabitje, deri tek ajo e Rinasit në vitin 2019.
Gruaja e tij, shtetasja O.Sharra rezulton pronare e kompanisë që ka fituar një kontratë të majme me Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan.
Flitet për një kontratë 11 217 107 lekëshe, për “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Spitalin Psikiatrik. Burimi i financimit është direkt nga Buxheti i Shtetit, ndërsa procedura e prokurimit është zhvilluar më 27 mars të vitit 2020.
Emri i Gentian Sharrës u bë i njohur për drejtësinë dhe mediat në hetimet e grabitjes së Rinasit. Ai mori me qira asokohe servisin ku u modifikua furgoni që u përdor më pas për grabitjen në aeroport. Servis “Genti”, i cili ndodhet në rrugën e vjetër Elbasan-Rrethrrotulimi i Bradasheshit, aty ku dyshohet se u modifikua enkas për grabitjen furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” është bllokuar asokohe nga policia si provë metariale. Mësohet se oficerët e policisë kanë sekuestruar prej andej kamerat e sigurisë, ndërkohë që pronari i servilit, Gentian Sharra, ka konfirmuar se servisin ia kishte dhënë me qira shtetasit Eldi Çala.
Nga dosja e SPAK mësohet se Gentian Sharra është akuzuar si organizator dhë bashkëpunëtor i disa grabitjeve. Gentian Sharra cilësohet edhe si mik i ngushtë me Talo Çelën të cilët sëbashku akuzohen si autorë të disa ngjarjeve kriminale. Në vitin 2013 ai ka qenë pjesë e grabitjes së ndodhur të Hamit Haxhias. Sharra bashkë me Talo Çelën pretendonin se do grabisnin një shumë prej 200 mijë eurosh, ndërsa në këtë grabitje pjesëmarrës ishte edhe Nuredin Dumani.
Në një tjetër episod ai del në vitin 2011, ku janë grabitur rreth 20 mijë euro. Sipas dëshmisë së Dumanit, Gentian Sharra bashkë me anëtarët e tjerë kanë marrë nga rreth 4-5 mijë euro për person.
Konkretisht, Gentian Sharra, akuzohet për:
– Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Lirak Bajraktari ndodhur në Elbasan në datën 22.02.2011, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
– “Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Shyqyri Shala, e kryer në datën 13.02.2012 në qytetin e Kavajës, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
– “Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Hamit Haxhia, e kryer në datën 11.02.2013 në qytetin e Durrësit, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
– “Vjedhje me armë në bashkëpunim”, në dëm të shtetasit Xhemali Liçi (ngjarje e ndodhur në datën 19.12.2012 në qytetin e Elbasanit), “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe ‘’Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”
– “Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Hamdi Sharka (ndodhur në fshatin Polizhan–Berat), kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.