Dëshmia e Erion Veliajt në Komisonin Hetimor Parlamentar për inceneratorët shoqërohet me debate të forta mes kryebashkiakut dhe deputetes Jorida Tabaku.
Sipas Tabakut Veliaj është kapur në gënjeshtër, edhe gjatë dëshmisë së sotme, pasi tha se ka një vendim të këshillit bashkiak që e autorizon atë që të jepte miratim për inceneratorin e Sharrës.
Tabaku tha se vendimi të cilit iu referua Veliaj kishte të bënte me buxhetin, dhe jo me çështjen e inceneratorëve, për të cilën do të duhej të kishte dhënë një vendim Këshilli Bashkiak.
Veliaj nga ana tjetër, publikoi shkresat e firmosura nga kryetarë të tjerë bashkie, si ai i Vorës apo i Kavajës, që jepnin dakordësinë për inceneratorët.
DEBATET:
Jorida Tabaku: Në datën 27.03.2017 kërkesës së Alqi Bllakos për projektin e inceneratorti të Tiranës, të cilën ne e kemi administruar këtu si shkresë, jeni shprehur pro. Cila pikë e cilës gërme, e cilit nen të ligjit Nr.139 të vitit 2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ju autorizon ta bëni këtë si kryetar i bashkisë Tiranë?
Veliaj: Më autorizon pika 12 e ligjit 10463, 23.09.2012 i qeverisë “Berisha” që sipas studimit të fizibilitetit referohet dhe parashikon se pika 12 “kryetarët e qeverisjes vendore, janë përgjegjës për administrimin e mbetjeve që krijohen brenda territorit të tyre administrativ në përputhje me kërkesat e këtij ligji” . kam zbatuar një ligj që shumica juaj ka aprovuar në parlament.
Tabaku: Ky ligj siç e thatë edhe ju është për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Ju keni një ligj që organizon qeverisjen vendore, që ka kompetenca të ndara mes trupave të ndryshme, institucioneve të ndryshme dhe që i ka kompetencat e ndara. Cila pikë, e cilit nen që unë përmenda në ligjin Nr.139 “Për organizmin e pushtetit vendor”, ju ka autorizuar ju për këtë veprim?
Veliaj: Më ka autorizuar pika 1 e nenit 5 të ligjit Nr.139 “Për vetëqeverisjen vendore i ndryshuar”, në germën “gj” të nenit 64 përcakton se “ushtron të drejtat dhe siguron plotësimin e të gjitha detyrimeve që i janë ngarkuar bashkisë si person juridik dhe është përfaqësuesi i saj në marrëdhëniet me të tretët. Per sa kohe qe jam zgjedhur kryetar i bashkisë.
Tabaku: Sipas pikës 5 që ju referuat ju nuk e keni këtë kompetencë që keni firmosur këtë shkrese. Ju keni kompetenca që nuk i ka Keshilli Bashkiak. Kjo është një kompetencë që i takon Këshillit Bashkiak. Na i vini në dispozicion shkresën që citoni, i kërkoj administratës që të marrë shkesën që po lexonte zoti Veliaj.
Veliaj: Nuk mund të më merrni nga dora diçka që ekspozon gënjeshtrën tuaj.
Tabaku: Çfarë frike keni nga vendimi i këshillit bashkiak? E ke mundësinë që të përgjigjesh
Veliaj: Tani të njëjtën përgjigje si Kavaja jep edhe bashkia e Vorës, nuk je kryetar i bashkisë së Shijakut, më lexo vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Tabaku: Kur të jesh Agim Kajmaku, hajde dhe na lexo vendimin për Kavajën.
Veliaj: Merr pushim qetësohu se mund të rrimë tre ditë këtu.
Tabaku: Më lexo vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës
Veliaj: Pi ujë, qetësohu, të them të pish ujë
Tabaku: Aq e qetë jam sa ke 10 mbrojtës këtu, edhe jam shumë e qetë përballë jush. Ti e përdor Gjykatën si qen sulmi, unë nuk e përdor dot, ky është dallimi midis nesh
Veliaj: Në dallim nga kryetarët demokratë të Kavajës dhe Vorës që përgjigjen vetë, Këshilli Bashkiak i Tiranës ngarkon kryetarin e bashkisë që të firmosë për këtë çështje.
Tabaku: Zoti Veliaj je nën hetim, po bën dëshmi të rreme. Jo jo jo, ëhëëë. Ju lutem administroni provën, kryebashkiaku i Tiranës gënjeu nën dëshmi. Po gënjen. Në këshill bashkiak shkohet për buxhetin dhe për pronën, sa kohë që prona është shtet, nuk mund të shkojmë, është si ju që keni vilë në gjirin e Lalzit, dhe të merrni vendim për vila në Velipojë.
Vendimi që lexoi zoti Veliaj, ka të bëjë me buxhetin, Këshilli Bashkiak ka përgjegjësi që nuk i ka këshilli bashkiak. Zoti Veliaj këshilli bashkiak është autoriteti përgjegjës për angazhimin e fondeve buxhetore, dhe asnjë shumë jashtë kësaj vlere nuk mund të jetë kompetencë e kryetarit. E para e punës qetësohu njëherë, se të kapa në një gënjeshtër të jashtëzakonshme.
Veliaj: Kjo që bën është histeri, çfarë presioni kam unë o mavri, kjo është stallë me lepuj.
Gjatë seancës së sotme, përveç Veliajt është parashikuar të dëshmojë edhe Ëngjëll Agaçi, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Damian Gjiknuri, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Alqi Bllako, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.