3.5 C
Tiranë
Tuesday, November 26, 2024
spot_img

Veliaj takim me të rinjtë e Njësinë 4: “Krenar që mbi 20 mijë studentë udhëtojnë me abone falas”

Turi i bashkëbisedimeve të kryetarit të Bashkisë së Tiranës me të rinjtë u ndal në Njësinë 4, ku kryebashkiaku Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti, foli për lehtësirat ndaj studentëve dhe mbështetjen e bashkisë, si mundësi për të krijuar histori suksesi në Tiranë.

“Kartën e Studentit e kishin premtuar të gjithë, por e bëri kjo administratë dhe kjo qeveri sepse nuk mjafton vetëm të ankohesh dhe të gjesh fajtorin, por duhet gjithmonë dikush që thotë: “E di çfarë? Po e bëjmë ne”. Ne vendosëm që, në vend që të bëheshim pjesë e korit për të gjetur fajtorin, u bëmë pjesë e zgjidhjes. Mund të flasim pafund sot për luftën që shkakton Putini dhe inflacionin e luftës, por në fund të ditës, të shpjegosh diçka ose t’i bashkohesh korit të atyre që vajtojnë, nuk ndihmon. Ajo që ndihmon është vendimi i Këshillit Bashkiak që abonenë për studentët ta bëjmë falas, ata thjesht duhet të pajisen me Kartën e Studentit. Jam shumë krenar që, mbi 20 mijë student e kanë tërhequr abonenë dhe udhëtojnë falas në të gjithë qytetin e Tiranës. Besoj se ishte një vendim i drejtë dhe një premtim i mbajtur”, tha Veliaj.

Fushata, shtoi Veliaj, po prodhon patetizma nga më të çuditshmet, ku të rinjtë që vijnë nga qytete të tjera i quajnë ardhacakë.

“Dikur ka qenë një shprehje: ‘Sa herë vjen cirku në fshat, dalin të gjithë klounët ta përshëndesin’. Tani që vjen fushata dalin lloj-lloj pjesëtarë të këtij cirku dhe thonë marrëzira nga të më ndryshmet. Një nga marrëzirat që kam dëgjuar dhe që secili prej kandidatëve bën garë kush e thotë më fort, është se ‘unë nuk jam i ardhur, jam nga Tirana. Nuk jam si këta të tjerët, që janë ardhacakë’. Unë besoj se në vitin 2022 kjo është gjëja më raciste që mund të thuhet. Në 2022 ti nuk mund të thuash më kush është i ardhur. Vetëm 5% e qytetarëve janë 400 vjet tironsa. Të gjithë të tjerët janë brezi i dytë, brezi i tretë. Para 100 vjetëve, kur u shpall Kryeqytet, Tirana kishte vetëm 10 mijë vetë, ndërsa sot është 1 milion e 10 mijë veta. Llogarinë e bëni vetë. Ne nuk pajtohemi me këtë racizëm patetik. Unë e kuptoj, fushata prodhon emocione, por jo deri në fazën kur ti tregohesh racist për ata që e kanë bërë Tiranën histori suksesi,” deklaroi kreu i Bashkisë.

Sipas Veliajt, ata që e shajnë më shumë Shqipërinë dhe Tiranën janë pikërisht ata që vetë jetojnë në vila.

“Një sport i rrezikshëm, që luhet masivisht nga një pjesë, por fatmirësisht jo nga shumica, është ky sporti me shajt Shqipërinë. Thonë: ‘Ky vend nuk bëhet’, ‘Këtu nuk jetohet!’ Ata që e thonë më shumë këtë gjë janë ata që jetojnë më mirë, kanë vila te Gjiri i Lalëzit, kanë shtëpi në Lundër, kanë zyra në kulla. Njerëzit që ankohen më shumë në politikë, janë ata që në fakt i kanë punët më mirë. E kanë kthyer në modë këtë. Gjejnë gazetarë të huaj, flasin keq. Dhe ti thua: ‘Po mirë, ajo juria në Bruksel, kaq pa sy dhe pa veshë ishte sa nga 600 qytete tha se Tirana e meriton të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë?!’ Para ca ditësh morëm titullin ‘Qyteti Europain i Sportit 2023’. Prapë nisi ky sporti: ‘Ky është vendi më i ndotur’. Nëse është më i ndoturi, hap aplikacionin ‘Il Meteo’, i cili ka një satelit që e pranon gjithë Europa si matës të ajrit dhe na jep rezultat konkret. Pse duhet dikush të bëjë politikë duke sharë vendin e vtij? Ne mund të kemi bindje nga më të ndryshmet, por një bindje duhet ta kemi të përbashkët: Me shajt qytetin tonë dhe me shajt vendin tonë është mëkat!” tha Veliaj.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT