Klinë – Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të shtunë në Klinë të Pejës, ku një person ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë zjarri nga vëllai i tij, pas një konflikti mes tyre.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10, ndërsa policia është njoftuar menjëherë për incidentin. Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, pas një fjalosjeje mes dy vëllezërve, njëri prej tyre ka qëlluar tjetrin me armë.
Viktima është dërguar fillimisht në gjendje të rëndë në emergjencën e Klinës dhe më pas në Spitalin e Pejës, ku ka marrë ndihmën mjekësore. Megjithatë, për shkak të plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë para se të transportohej drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë njësitë policore dhe prokuroria, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.






