26.5 C
Tiranë
Tuesday, September 24, 2024
spot_img

Vendoset të përsëriten zgjedhjet lokale në Rrogozhinë

Përsëriten zgjedhjet lokale në Rrogozhinë. Kolegji Zgjedhor ka vendosur të pranojë kërkesat e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të përsëritur edhe njëherë zgjedhjet në Bashkinë më të vogël të qarkut të Tiranës, ku kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memollaj fitoi me 21 vota më shumë ndaj kundërshtarit të tij, Shkëlqim Hoxha. Megjithatë ende nuk ka një datë për zhvillimin e zgjedhjeve të reja, kësaj here të pjesshme lokale. Tashmë i takon presidentit Bajram Begaj për të caktuar një datë për votimet e reja në këtë Bashki.

Më herët, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi që të njohë si të vlefshëm votimin e të burgosurve në burgun e Rrogozhinës, pavarësisht pretendimeve dhe provave që dërgoi koalicioni “Bashkë Fitojmë” për paligjshmërinë e ngritjes së Komisionit të Qendrës së Votimit dhe listës së votuesve në këtë QV.

Ivi Kaso, përfaqësues ligjor i koalicionit Bashkë Fitojmë e paralajmëroi se vendimi i KAS-it do të apelohej në Kolegjin Zgjedhor, pasi provat dhe faktet tregonin për një paligjshmëri të procesit me efekt të dukshëm në ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve.

“Është një proces që ka filluar pa një qendër të ngritur sipas ligjit, pa një listë të miratuar sipas ligjit, ku kanë votuar shtetas të cilët ligji i ndalon në mënyrë kategorike që të votojnë në këto lloj zgjedhjesh në atë qendër të posaçme,”
-tha Kaso.

Pas përfundimit të zgjedhjeve dhe rezultatit të ngushtë mes dy kandidatëve, opozita vendosi që të apelojë rezultatin. Në argumentet e tyre, avokatët e koalicionit BF argumentuan se Komisioni i Qendrës së Votimit në këtë burg ishte ngritur pa vendimmarrje të KQZ-së dhe se shumica e të burgosurve që kishin votuar nuk kishin të drejtë që të ushtronin të drejtën e tyre, për shkak të vendbanimit dhe mospasjes së emrit në listën e zgjedhësve. Shumë prej tyre, të cilët po uvajnë dënimin në Rrogozhinë, por vendbanimi i tyre nuk ishte në këtë Bashki. Ndaj edhe nuk mund të votonin për të zgjedhur të parin e qytetit. Në këtë burg, sipas Kasos, kriteri numerik që parashikon ligji është 15 zgjedhës me të drejtë vote që të kenë vendbanimin në atë zonë me kod unik banese, ndërkohë që në atë institucion të vuajtjes së dënimit, vetëm 2 prej tyre kanë vendbanim në Rrogozhinë. Kutia e burgut, e cila u numërua e fundit, ishte ajo që i dha fitoren kandidatit të PS-së në Rrogozhinë, pasi nga 92 vota në total 80 ishin në favor të tij.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT