Një grua është arrestuar pas vrasjes së një blogeri të njohur ushtarak pro-Kremlinit në një shpërthim me bombë në një kafene në Shën Petersburg, ka raportuar agjencia e lajmeve Interfax.
Vladlen Tatarsky vdiq ndërkohë që po fliste në nëj aktivitet publik në kafene të dielën. Të paktën 30 persona u plagosën.
Viktimës iu dhurua një bust
Interfax thotë se një grua e Shën Petersburgut, Darya Tryopova, u arrestua me dyshimin e përfshirjes në shpërthimin. Agjencia tha se ajo ishte arrestuar më parë për pjesëmarrje në mitingje kundër luftës.
Mediat ruse dhe blogerët ushtarakë thanë se Tatarsky po takohet me pjesëmarrësit kur një grua i dhuroi atij një kuti që përmbante një bust të tij, kuti që me sa duket shpërtheu. Një grup patriotik rus që e kishte organizuar aktivitetin tha se kishte marrë masa paraprake sigurie, por pranoi se ato masa “dolën të pamjaftueshme”.
Në pamjet e regjistruara në video, një dëshmitar tha se një grua që e identifikoi veten si Nastya bëri pyetje dhe shkëmbeu fjalë me Tatarsky gjatë diskutimit.
Dëshmitarja, Alisa Smotrova, citoi Nastya të thoshte se ajo i kishte bërë një bust blogerit, por rojet i kërkuan që ta linte te dera, duke dyshuar se mund të ishte një bombë.
Nastya dhe Tatarsky bënin shaka dhe qeshnin. Më pas ajo shkoi te dera, e mori bustin dhe ia paraqiti Tatarskit.
Thuhet se ai e vendosi bustin në një tavolinë aty pranë dhe menjëherë ndodhi shpërthimi. Smotrova tregoi për njerëz që vraponin në panik, disa të plagosur nga xhamat e thyer dhe të mbuluar në gjak.
Mediat ruse thanë se hetuesit po e shikojnë bustin si burimin e mundshëm të shpërthimit, por nuk e kanë përjashtuar mundësinë që një pajisje shpërthyese të ishte vendosur në kafene përpara ngjarjes.
Ukraina nuk pranon se është e përfshirë
Tatarsky është emër arti për Maxim Fomin i cili kishte grumbulluar më shumë se 560,000 ndjekës në kanalin e tij të aplikacionit të mesazheve Telegram.
Askush nuk e ka marrë publikisht përgjegjësinë, por blogerët ushtarakë dhe komentuesit patriotë drejtuan menjëherë gishtin drejt Ukrainës dhe e krahasuan vrasjen me të Darya Dugina-s, një komentatore nacionaliste televizive, gushtin e kaluar. Ajo u vra kur një pajisje shpërthyese e kontrolluar nga distanca e vendosur në SUV-in e saj shpërtheu teksa po ngiste makinën në periferi të Moskës.
Duke reaguar ndaj incidentit të fundit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se aktivitetet e Tatarsky ” kanë fituar urrejtjen e regjimit të Kievit” dhe vuri në dukje se ai dhe blogerët e tjerë ushtarakë rusë janë përballur prej kohësh me kërcënime ukrainase.
Por një zyrtar i lartë i qeverisë ukrainase e konsideroi shpërthimin që vrau Tatarsky si pjesë e trazirave të brendshme.
“Merimangat po hanë njëra-tjetrën në një kavanoz”, shkroi në anglisht këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak në Tëitter. “Çështja se kur terrorizmi i brendshëm do të bëhej instrument i luftës së brendshme politike ishte çështje kohe.”