12.5 C
Tiranë
Thursday, November 28, 2024
spot_img

VOA: “Kuvendi kërkon në një Rezolutë “hetim ndërkombëtar për aktin terrorist në veri të Kosovës”

Në Tiranë, Kuvendi miratoi sot me shumicë dërrmuese një Rezolutë, ku kërkohet “një hetim ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës”.

Kuvendi i Shqipërisë mbështet Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe inkurajon Qeverinë e Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

Kuvendi u kërkon institucioneve të Shqipërisë, që në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe në raportet dypalëshe me partnerët të veprojnë fuqimisht për të mundësuar një hetim ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës”, theksohet më tej në Rezolutë.

Rezoluta mori 101 vota pro, asnjë kundër dhe vetëm një votë abstenuese nga një deputet i opozitës, i cili kërkoi plotësimin e saj me disa amendamente, ku i kërkoheshin BE-së masa ndëshkuese për Serbinë dhe heqja e masave shtrënguese për Kosovën.

Kuvendi i Shqipërisë diskutoi gjithë seancën e sotme për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në fund Rezolutë mbi qëndrimet e Tiranës ndaj ngjarjeve, që vijuan nga 24 shtatori, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri, duke vrarë oficerin e policisë Afrim Bunjaku, e kur gjatë përleshjeve të mëtejshme tre nga sulmuesit mbetën të vrarë.

Kryeministri Edi Rama theksoi më herët në fjalën e tij se një grup kriminal serb ushtroi terror në veri të Kosovës, duke sjellë ngjarjen tragjike të vrasjen e policit Afrim Bunjaku. Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë në të drejtën e vet duke iu drejtuar institucioneve ndërkombëtare.

“Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu, si edhe vetëviktimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut, e bëjnë jo të lehtë përpjekjen nga ana jonë, të cilën ne e kemi vazhduar në çdo instancë e rrethanë të mundshme”, tha zoti Rama.

Ai tha se më 24 shtator kishte ndodhur diçka shumë e madhe; ngjarja më e rëndë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi qysh pas vitit 1999, e pasuar me një akt zyrtar të papranueshëm shpallje zie në Beograd.

“Epilogu i ngjarjes, shpallja e zisë kombëtare nga autoritetet e Beogradit për kriminelët e eliminuar nga forcat e sigurisë së Kosovës, pasi i morën jetën një polici të Republikës së Kosovës, ishte shëmbëlltyra e gjallë e hijes të së shkuarës, e cila bashkëjeton me Serbinë, qysh nga disfata e saj finale e vitit 1999 në Kosovë”, tha zoti Rama.

Ai tha që nëse asociacioni i komunave, që po mistifikohet si një Kalë Troje, bëhet si duhet dhe në bashkëpunim me aleatët, Serbia nuk do të lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur tërë këto kohë mes Brukselit e Uashingtonit, “duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut”.

Zoti Rama tha që një asociacion komunash i kyçur brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, do të ishte i zhveshur nga çdo potencial kërcënimi për destabilizim të shtetit të Kosovës.

Ai tha se ajo ngjarje tragjike, ku humbi jetën një punonjës i ndershëm dhe i pafajshëm i shtetit të Kosovës, ishte po aq domethënëse për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit në veriun e Kosovës.

“Kosova sot po rrezikon ta humbasë shansin historik që i jep Plani Franko-Gjerman, për të bërë një progres të jashtëzakonshëm, më kuptimplotin në luftën diplomatike me Serbinë, siç po humbet dita – ditës, dhe vetëm prej mosbërjes së atij asociacioni, besimin dhe respektin e atyre që e njohën si shtet të pavarur dhe që janë angazhuar ta çojnë drejt njohjes përfundimtare nga të gjithë si një republikë e pavarur e komunitetit të madh të shteteve të OKB”, theksoi zoti Rama.

Ai tha se KFOR-i duhet të marrë “përgjegjësi absolute për të vënë nën kontroll veriun, gjë që forcat e Kosovës nuk e bëjnë dot objektivisht”, ndërkohë që, sipas tij, “forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë krejt të pamjaftueshme”, ndërsa “kufiri me Serbinë është katandisur prej vitesh në një rrjetë të çarë ngado, prej nga hyjnë serbes armatime, drogë” etj.

“KFOR-i do të vazhdojë të rrijë në Kosovë, deri kur dialogu i normalizimit me Serbinë të jetë kryer me sukses, të jetë garantuar paqja përfundimtare dhe Kosova të jetë njohur përfundimisht si shtet nga të gjithë”, tha zoti Rama.

Në Rezolutë theksohet se Kuvendi është thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023.

Ndërsa nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, tha se projekt-rezoluta ishte e varfër, e pangjyrë, e pakuptimtë dhe e papranueshme dhe e papranueshme, sepse bazohet në temat që përdor Beogradi për ngjarjen.

“Projekt-Rezoluta i referohet sulmit në datën 24 si një njësi terroristësh serb. Është pikërisht ajo çfarë thotë Aleksandër Vuçiç. Aleksandër Vuçiç nuk e ka mohuar se kanë qenë serb që kanë sulmuar, por serb të Kosovës. Aleksandër Vuçiç mohon implikimin e Beogradit lidhur me këtë sulm. Dhe është e papranueshme që në tekstin e rezolutës të Parlamentit të Shqipërisë, të pohohet ajo çfarë Vuçiç deklaron, që janë terrorist serb, po, por Beogradi nuk ka lidhje se janë serb të Kosovës”, thotë zoti Çollaku.

Partia Demokratike e opozitës theksoi se në përgatitjen e kësaj projekt-rezolute u anashkalua komisioni parlamentar për politikën e jashtme.

Partia Demokratike ka kërkuar që në projekt-rezolutë të shtohen 3 pika, ku t’u bëhet thirrje 5 vendve anëtare të BE-së, 4 nga të cilat anëtare të NATO-s, që nuk e njohin Kosovën, që ta ndërmarrin këtë hap, ndërsa BE-së t’i kërkohet heqja e masave shtrënguese për Kosovën si dhe masa ndëshkuese ndaj Serbisë, e cila sipas opozitës, cënoi qëndrueshmërinë dhe sigurinë e rajonit.

Amendamentet e Partisë Demokratike nuk u votuan, sepse, siç tha kryetarja Lindita Nikolla, nuk kishin mbërritur në Kuvend në kohën e përcaktuar nga rregullorja, dhe duket se kjo e shty zotin Çollaku të abstenonte për Rezolutën, që u miratua nga deputetët e pranishëm.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT