Një vrasje mafioze tronditi Greqinë mesditën e së enjtes, ku Georgios Moschouris, i njohur ndryshe si “Thamnaki”, një nga figurat kryesore të mafies greke, u ekzekutua në mënyrë brutale në zonën e Halkandrit të Athinës.
Moschouris u qëllua për vdekje me armë automatike kallashnikov nga persona të paidentifikuar, teksa po dilte nga një qendër private mjekësore. Plumbat, disa prej të cilëve e goditën në fytyrë, i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.
Sipas raportimeve të policisë, në vendin e ngjarjes u gjetën shumë gëzhoja plumbash, ndërsa pak minuta pas atentatit u zbulua një automjet i djegur në zonën e Patimës, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët për kryerjen e krimit dhe më pas për t’u larguar pa lënë gjurmë.
Georgios Moschouris nuk ishte i panjohur për autoritetet. Ai kishte mbijetuar një atentat tjetër në vitin 2020 në zonën e Voula, duke u renditur ndër figurat më të rrezikshme të botës së nëndheshme greke. Mediat vendase e kanë lidhur emrin e tij me aktivitete të shumta kriminale dhe lidhje të forta me rrjete mafioze.
Policia greke ka nisur hetimet intensive për të zbuluar motivet e ngjarjes, duke analizuar konfliktet e mëparshme të viktimës dhe aktivitetin e tij të fundit. Aktualisht, autoritetet janë duke shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e të pranishmëve për të ndërtuar itinerarin e atentatorëve dhe për të bërë identifikimin e tyre.
Vrasja e “Thamnaki”-t konsiderohet një tjetër episod i luftës mes grupeve kriminale në Greqi, që po përshkallëzohet gjithnjë e më shumë në vitet e fundit.