14.5 C
Tiranë
Tuesday, November 26, 2024
spot_img

Zbardhen detaje të hetimit mbi Vëllezërit Çopja: Roli i tyre në krimin e organizuar dhe pastrimin e parave

Vrasje të rivalëve, urdhëra për vrasje me pagesë, tentativa të shumta për vrasje, pastrim parash, si dhe përfshirje në vjedhjen e 10 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në vitin 2019. Këto janë vetëm disa nga krimet e rënda për të cilat akuzohen vëllezërit nga Elbasani, Franc dhe Hajdar Çopja, sipas hetimit të Prokurorisë së Posaçme. Organizata e tyre ishte në qendër të operacionit të organizuar të mërkurën me 33 urdhëra arresti, nga të cilët 13 u ekzekutuan në Shqipëri, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar më herët jashtë vendit. Pjesa tjetër e personazheve të përfshirë rezulton të jenë larguar prej kohësh nga Shqipëria.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme u çuan përpara falë bashkëpunimit me Eurojust, Europol dhe autoritetet holandeze, belge dhe franceze. Prokuroria e Posaçme deklaroi: “Hetimet kanë provuar se kjo organizatë kriminale dallohet për shkallën e veçantë të strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes së saj, qëllimit për kryerjen e disa veprave penale dhe fuqisë së saj financiare.”

Historiku i organizatës shkon që nga vitet 2006 – 2007, kur nisën shpërndarjen e drogës në Itali, deri në fuqizimin shkallë-shkallë të organizatës, e cila vitet e fundit kishte arritur të pastronte paratë përmes skemave të sofistikuara. “Me kalimin e viteve, u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi, pasi ata krijuan kontakte që ju dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve,” shpjegon Prokuroria e Posaçme.

Në vitin 2018, për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale filloi eliminimin e kundërshtarëve përmes vrasjeve me pagesë. Vëllezërve Çopja iu atribuohet vrasja e trefishtë në dhjetor të vitit 2018, ku mbeti i vrarë dhe Endrit Alibej në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan. “Qëllimi i kësaj vrasje ka të bëjë me konkurrencën për zotërimin e tregut të kokainës,” bën të ditur Prokuroria e Posaçme.

Të ardhurat nga aktivitetet e paligjshme, grupi i dy vëllezërve i ka investuar kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës. “Organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomikë dhe përdorimin e operatorëve ekzistues në Shqipëri, të cilët ‘de jure’ janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, duke mos ekspozuar poseduesit ‘de facto’ dhe përdorimin e tyre si kamuflim për pastrimin e parave,” shpjegon Prokuroria e Posaçme.

Franc Çopja ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash përmes përdorimit të zyrave të këmbimit valutor brenda dhe jashtë vendit, për të kryer pagesat e vrasjeve të porositura dhe investimet për llogari të tyre.

Prokuroria nuk ka bërë të ditur emrat e personave të arrestuar, por mes tyre mësohet se janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë, përfshirë ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu dhe shefin e krimeve në Durrës Agustin Cinari. Europoli, në një njoftim, ka përmendur edhe arrestimin e një figure të rëndësishme në pastrimin e parave me qendër në Tiranë.

Analizat e komunikimeve në aplikacionin e koduar SKY, të përdorur gjerësisht nga organizatat kriminale, kanë ndihmuar Europolin dhe Prokurorinë e Posaçme në zbulimin e aktivitetit të grupit të dy vëllezërve nga Elbasani. Në përfundim të operacionit janë sekuestruar 42 pasuri, duke përfshirë apartamente, vila, tokë arë, një pallat në ndërtim dhe katër llogari bankare. Gjithashtu, janë sekuestruar 1 milion euro cash të gjendura gjatë kontrollit në 8 banesa.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT