I riu së bashku me babanë e tij, Skënder Lika, u arrestuan nga Policia në lidhje me vrasjen e biznesmenit Rakip Roli në Sanxhak të Kurbinit, ngjarje e ndodhur paraditen e së premtes. I riu ka pranuar autorësinë e vrasjes, ndërsa dy bashkëpunëtorët në këtë krim, të arrestuar gjithashtu nga Policia, nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me ngjarjen. Sipas burimeve, 22-vjeçari Llej Lika ka thënë se vrasjen e ka kryer në shenjë hakmarrjeje, pasi viktima dhe djemtë e tij e kishin dhunuar barbarisht me 8 korrik të këtij viti, duke i shkaktuar fraktura të shumta dhe ka marrë mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Ndërsa referuar veprimeve hetimore të deritanishme, burime policore bëjnë me dijë se dy personat e ndaluar janë bashkëpunëtorë në këtë krim. Babë e bir i kanë zënë pritë biznesmenit sapo ai kanë dalë nga shtëpia e tij në fshatin Sanxhak të Kurbinit dhe 22-vjeçari ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të 55-vjeçarit Rakip Roli, i cili lëvizte me automjetin luksoz të llojit “Audi Q7”. Pasi është bindur se objektivi ka ndërruar jetë, i riu ka shkuar te vendi ku ishte dhunuar me datë 8 korrik nga viktima dhe djemtë e tij duke qëlluar një breshëri në ajër. Shenjë kjo për të treguar se është hakmarrë dhe ka vënë dinjitetin në vend. Më pas i riu mendohet se është marrë nga Klajdi Gjexhaj (Beleshi) dhe kanë lëvizur me një automjet tip “Benz” ngjyrë gri në drejtim të Fushë-Milotit.
HETIMET
Makina tip “Benz-Mercedez” e përdorur në vrasje i përkiste familjes Lika, të cilën e kishin blerë në Fushë-Krujë, duke mos bërë kontratë noteriale, ndërsa në momentin e largimit është fokusuar nga një kamerë sigurie e një biznesi në zonë, duke ndihmuar grupin hetimor që brenda një kohë të shpejtë të bien në gjurmët e autorëve të ngjarjes. Pasi arritën të identifikojnë autorët, blutë u vunë menjëherë në lëvize për kapjen e tyre. Sipas burimeve, për lokalizimin e vendndodhjes së tyre Policia ka përdorur “IMSI Catcher”, për shkak se pas momentit të vrasjes, Llej Lika, babai i tij Skënder Lika dhe shoku i tyre Klajdi Gjexhaj, kanë mbyllur telefonat që kishin pasur në përdorim, duke përdorur numra të tjerë.
Disa biseda të kriptuara nga kjo pajisje, dhanë sinjale se personat ndodheshin në zonën e Fushë-Milotit, duke bërë që Policia e Lezhës dhe Komisariati i Kurbinit të përqendrojnë forcat pikërisht në zonën ku fshiheshin autorët. Ata u gjetën në shtëpinë e një të afërmi të tyre D. G., i cili është proceduar penalisht nga Policia për përkrahje të autoreve të ngjarjes. Ndërkohë, në turrën e druve të banesës së David Gegës është fshehur dhe automatiku. Armën e zjarrit, e cila tashmë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe do t’u nënshtrohet ekzaminimeve në laboratorin e Policisë së Shtetit, e ka treguar vetë Llaj Lika, i cili është çuar natën në vendngjarje nga Policia e Lezhës, ku ishte i veshur me jelek antiplumb.
MASA E SIGURISË
Tre të arrestuarit për vrasjen e biznesmenit Rakip Roli pritet të dalin para Gjykatës së Kurbinit këtë të hënë për t’u njohur me akuzat dhe masën e sigurisë që do të vendoset ndaj tyre. Biznesmeni i materialeve të ndërtimit Rakip Roli, apo i njohur ndryshe edhe me emrin Pilo, u ekzekutua me breshëri plumbash paraditen e së premtes teksa po lëvizte me automjetin e tij luksoz “Audi Q7” në rrugën e vjetër Laç-Mamurras. Autorët i zunë pritë 55-vjeçarit dhe qëlluan në drejtim të tij sapo kishte dalë nga banesa dhe po lëvizte në drejtim të Mamurrasit. Në drejtim të automjetit luksoz të tipit “AudiQ7”, me të cilin lëvizte i vetëm viktima, u qëllua me breshëri automatiku dhe të paktën 7 plumba e goditën në trup 55- vjeçarin, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërsa Roli humbi jetën menjëherë sapo u qëllua me breshëri automatiku, automjeti luksoz që drejtonte ka vazhduar të ecë edhe për rreth 10 metra, duke goditur nga pas një makinë tip “Benz”, që lëvizte në drejtim të Mamurrasit dhe më pas ka përfunduar në një kanal buzë rrugës, ngjitur me murin rrethues të një banese. Pamjet në vendin e ngjarjes tregojnë se automjeti është goditur me breshëri plumbash, veçanërisht në pjesën e xhamit të përparmë në anën e shoferit ku qëndronte Rroli, çka do të thotë se atentati ka qenë i mirorganizuar dhe se autorët kanë pasur dijeni jo vetëm për makinën që drejtonte viktima, por edhe për lëvizjet e tij.