Në seancën e fundit gjyqësore ndaj grupit të Laert Haxhiut, rival i kreut të “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare, është zbardhur dëshmia e Elvis Shehut, kushëririt të biznesmenit Çajup Selimi, i vrarë më 1 qershor 2021 në Tepelenë.
Shehu deklaroi se ishte personi i fundit që kishte kontaktuar me Selimin pak para vrasjes. “U ndamë vetëm 20 minuta para se t’i ndodhte ngjarja e rëndë. E kam përcjellë me makinë afër banesës së tij,” tha Shehu gjatë seancës.
Në pyetjet e gjykatës, Shehu sqaroi:
• Pyetje: A e njihnit Çajup Selimin?
Përgjigje: Po.
• Pyetje: Çfarë mund të na thoni për vrasjen?
Përgjigje: Ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2021. Atë ditë kam qenë me vëllain e tij. E kam marrë Çajupin te puna e tij. Kemi bërë një shëtitje. Më pas kam marrë xhaxhain dhe një person tjetër dhe i çuam në punë. Më pas morëm rrugën drejt Kalasë. Ai më tha: “Më ço te shtëpia.” E kam lënë te rrugica e lagjes së tij. Rreth 20 minuta më vonë më telefonoi policia dhe më tha të paraqitesha, sepse Çajupit i kishte ndodhur diçka. Cajupin e kam kushëri. Babai e ka djalë daje.
• Pyetje: A e dinit që Çajupi kishte probleme?
Përgjigje: Jo. Do ta kishim dëgjuar nëse do të kishte diçka.
• Pyetje: A ka qenë ndonjëherë i shoqëruar në polici?
Përgjigje: Ndoshta në vitin 1997, por atëherë kam qenë i vogël.
• Pyetje: Si njihej në komunitet?
Përgjigje: Si një njeri alegro dhe biznesmen i njohur.
Dëshmia e Shehut ofron një pasqyrë të fundit të momentit të përbashkët mes tij dhe Selimit para ngjarjes tragjike, duke ndihmuar hetuesit dhe gjykatën në sqarimin e rrethanave të vrasjes.






