Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre persona, të përfshirë në përdorimin e dokumenteve të falsifikuara si vëzhgues gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
Sipas dosjes, Arlind Pepa, i regjistruar si vëzhgues i Partisë Socialiste në shkollën “9-Vjeçare Vorë”, përdori një badge të falsifikuar të KQZ-së për të marrë pjesë në procesin zgjedhor brenda dhe jashtë qendrës së votimit. Badge lëshohet vetëm për personat që kanë kontratë pune në KQZ, ndërsa Pepa e kishte marrë dokumentin nga Genc Demiro.
Migena Xibinaku, specialistja e protokollit në KQZ, dyshohet se ka vulosur dokumentin, megjithëse në deklarimet e saj thotë se nuk e mban mend të ketë kryer këtë veprim. Dosja tregon se dokumenti, edhe pse mbante vulën e KQZ-së, rezultoi i falsifikuar.
Genc Demiro, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Qarkut Tiranë, është përfshirë gjithashtu në këtë çështje për sigurimin e dokumenteve falsë. Hetimet zbuluan se veprimet u kryen me vetëdije dhe në bashkëpunim, duke shkelur ligjin për përdorimin e dokumenteve zyrtare dhe funksionin e vëzhguesit zgjedhor.
Tani, tre të pandehurit do të përballen me drejtësinë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.






