Një ish-gjyqtar italian, i cili ka qenë pjesë edhe e Serisë A gjatë karrierës së tij, është zhdukur ditët e fundit në Shqipëri pa lënë gjurmë në rrethana të mistershme. Davide Pecorelli, është në kërkim prej rreth 10 ditësh, me kontaktet e fundit të tij që kanë qenë në vendin tonë.
Pekoreli mendohet se kishte udhëtuar për arsye biznesi drejt Shqipërisë, por familjarët dhe miqtë e tij kanë humbur kontaktet dhe janë shqetësuar për situatën e tij.
Sipërmarrësi italian kishte marrë me qira një automjet tip “Skoda” në vendin tonë e është zhdukur, pa gjurmë.
Makina është gjetur e djegur në 8 janar. ‘Gjendet një makinë e djegur në aksin rrugor Gjegjan-Reps, në Pukë.
Mjeti tip ‘Skoda Fabia’ është gjetur në vendin e quajtur ‘Kodra e Bardhë’, ndërsa rezulton të jetë marrë me qira në Rinas.
Sipas gazetës italiane ‘La Nazione’, brenda makinës janë gjetur disa sende personale të Pekorelit. 45-vjeçari ka qenë për shumë vite një gjyqtar profesionist.
Ai ka drejtuar kryesisht në Serinë C në Itali gjatë karrierës së tij. Por ndërkohë, në CV ka edhe shumë ndeshje në Serinë A, por si gjyqtar i katërt.
Media e vendit fqinj “La Nazione”, shkruan se automjeti është gjetur i djegur në zonën e Gjegjanit, në Pukë, ndërsa brenda makinës janë gjetur disa materiale, për të cilat ka dyshime se mund të jenë mbetje njerëzore.
Në Itali presin ende të mësojnë rrethanat e zhdukjes së tij në vendin tonë në një ngjarje shumë të pazakontë.
Prej më shumë se një viti sipërmarrësi kishte hapur në Tiranë një biznes me produktet e lidhura me dyqanet e tij. Lidhja e Pecorelli-t me Shqipërinë ka nisur edhe për shkak të partneres së tij, që është me origjinë shqiptare, me të cilën ka edhe një fëmijë. Gjithashtu, Pecorelli ka edhe tre fëmijë të tjerë me gruan e parë, me të cilën ishte ndarë disa vite me parë. Ai kishte mbërritur në Shqipëri në 7 janar. Më pas udhëtoi me një automjet tip “Skoda” të marrë me qira. Kaq është e ditur zyrtarisht për të, kurse më tej, vendndodhja dhe fati i tij mbeten akoma mister.
Autoritetet shqiptare ende nuk kanë të dhëna të plota për Pekorelin, ndërsa ngjarja po hetohet në vazhdim.