Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në depon më të madhe të karburantit të Sudanit, e vendosur në Port Sudan, kryeqyteti i përkohshëm administrativ i vendit. Zjarri ka nisur pas një sulmi të dyshuar terrorist me dron, i lidhur me konfliktin e përgjakshëm midis ushtrisë së rregullt sudaneze dhe forcave paraushtarake të RSF-së.
Sipas Ministrisë së Energjisë dhe Naftës, flakët shpërthyen fillimisht në një rezervuar vajguri dhe më pas u përhapën me shpejtësi në kontejnerë të tjerë të karburantit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në objektin strategjik.
“Shpërthimi sonte ndodhi për shkak të ndezjes së njërit prej tankeve, të shkaktuar nga përhapja e zjarrit,” deklaroi një zyrtar i Ministrisë, duke theksuar se autoritetet kanë kërkuar ndihmën e Arabisë Saudite, përmes dërgimit të një avioni zjarrfikës.
Sipas autoriteteve, zjarri nisi mëngjesin e së hënës, dhe është pasojë e drejtpërdrejtë e një sulmi me dron nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), që prej prillit 2023 ndodhen në luftë të hapur me ushtrinë e rregullt sudaneze. Konflikti është pasojë e përplasjes për pushtet mes gjeneralit Abdel Fattah al-Burhan, udhëheqës i forcave të armatosura dhe kreu de facto i vendit, dhe ish-zëvendësit të tij Mohamed Hamdan Daglo, lider i RSF-së.
Ministria konfirmon se përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët janë ende në vazhdim, ndërsa deri më tani nuk raportohet për viktima.
Ky incident shton edhe më shumë tensionet në një vend tashmë të shkatërruar nga lufta civile, ku infrastruktura energjetike përbën një objektiv kritik në përplasjen midis dy palëve.