Një apartament në katin e pestë të një pallati në lagjen nr.2 të qytetit të Kukësit u përfshi nga flakët rreth orës 11:00 të së hënës.
Pavarësisht intensitetit të lartë të zjarrit, fatmirësisht ai nuk u përhap në banesat e tjera. Dyshimet e para tregojnë se shkaku mund të ketë qenë një bombël gazi, e cila ndodhej në ballkonin e apartamentit.
Në apartament jetonin tre persona – dy bashkëshortët dhe vajza e tyre – të cilët nuk kanë pësuar djegie apo dëmtime trupore. Kjo është konfirmuar edhe nga ekipi i urgjencës së spitalit të Kukësit, i cili ndodhej në vendngjarje.
Zjarrfikësit ndërhynë në kohë duke arritur të shuajnë flakët, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.






