Një banesë brenda mureve historike të Kalasë së Elbasanit është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së martës, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës. Ngjarja ndodhi vetëm pak minuta më parë, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta.
Sipas informacioneve paraprake, fatmirësisht deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar. Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për të vënë nën kontroll flakët, me qëllim që ato të mos përhapen drejt banesave të tjera brenda hapësirës së kufizuar të kalasë.
Ndërkohë, policia ka rrethuar perimetrin dhe pritet që hetimet të hedhin dritë mbi shkaqet e zjarrit.






