Një ngjarje e rëndë e dhunës në familje ka tronditur qytetin e Witten, ku një adoleshent 13-vjeçar humbi jetën, ndërsa nëna e tij 38-vjeçare dhe motra 9-vjeçare mbetën të plagosura rëndë.
Sipas autoriteteve, ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por përpjekjet për të shpëtuar jetën e të miturit nuk kanë dhënë rezultat. Ngjarja dyshohet të ketë nisur si një konflikt verbal brenda banesës familjare, i cili më pas u përshkallëzua dhe u zhvendos në hapësirë publike, duke alarmuar banorët e zonës.
Policia njoftoi se i dyshuari kryesor, babai i familjes, është arrestuar rreth 100 metra larg banesës. Një dëshmitar okular përshkroi autorin e dyshuar me duart e mbuluara me gjak, i shtrirë nën mbikëqyrjen e policisë. Rreth 20 dëshmitarë po marrin mbështetje psikologjike nga ekipet e specializuara të emergjencës.
Telefonata e parë për ndihmë është regjistruar në orën 10:29 të mëngjesit, duke hapur një hetim të plotë për rrethanat e këtij akti tragjik.






