Policia e Tiranës ka arrestuar një të ri, të identifikuar si Orgito Hysenaj, pas denoncimeve të administratorëve të tre marketeve në kryeqytet për vjedhje me thyerje.
Hysenaj, 20 vjeç, është kapur dhe vënë në pranga pas hetimeve nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4. Ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash nga dy dyqane në 28 mars dhe 6 prill, pas thyerjes së dyerve me sende të forta, si leva hekuri.
Në kuadër të operacionit “Precedenti”, policia ka sekuestruar sendet e forta që përdorte për grabitjen e marketeve. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e mundshme të vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer 20-vjeçari.