Leno, Itali – Një operacion i mirëorganizuar i Policisë Lokale në Leno, në provincën e Breshias, ka çuar në arrestimin e një 20-vjeçari të dyshuar për trafik droge, i cili prej ditësh ishte nën vëzhgim të autoriteteve.
Sipas mediave italiane, oficerët kishin monitoruar me kujdes lëvizjet dhe aktivitetin e tij, duke përdorur kamera sigurie dhe pajisje vëzhgimi të instaluara në zonë. Ndërhyrja u krye në qendër të qytetit, ku i riu dyshohet se ushtronte aktivitetin e paligjshëm.
Gjatë kontrollit personal, policia i gjeti 14 doza kokaine të ndara dhe gati për shitje, si dhe rreth 1,400 euro para cash, që dyshohet se janë përfituar nga trafiku i lëndëve narkotike.
Situata u rëndua më tej nga zbulimi i disa fishekëve, si dhe një balaklavë (kapuç maskë), duke ngritur dyshime për përfshirje në aktivitete të tjera kriminale. Të gjitha materialet u sekuestruan nga policia.
20-vjeçari u arrestua me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin, ndërsa më pas është paraqitur para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë. Ai është liruar në pritje të zhvillimeve të mëtejshme gjyqësore, ndërkohë që hetimet vijojnë.





