10.5 C
Tiranë
Friday, November 22, 2024
spot_img

37-vjeçari kapet duke ujitur 520 bimë narkotike në Mirditë; Nisin procedime për Shpërdorim detyre ndaj Kryeplakut

Një 37-vjeçar është arrestuar nga policia, duke ujitur 520 bimë narkotike në fshatin Shëmri të Mirditës. Operacioni i koduar “Double” është kryer në orët e para të mëngjesit, dhe ka rezultuar në nisjen e procedimeve penale në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj kryeplakut të fshatit Shëmri dhe specialistit të pyjeve, pasi dyshohet se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale në zonën që mbulojnë.

Njoftimi i Policisë

Policia e Shtetit njofton se operacioni policor “DOUBLE” u finalizua me sukses falë kontrolleve intensive dhe bashkëpunimit të ngushtë me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga një hetim proaktiv njëmujor, finalizuan këtë operacion për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë 37-vjeçari banues në fshatin Shëmri, njësia administrative Orosh, bashkia Mirditë, i cili më parë ishte dënuar për “Vjedhje me dhunë” dhe “Kultivim të bimëve narkotike”. Ky shtetas dyshohet se kishte kultivuar 520 bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa në hapësirën e pyllit në afërsi të fshatit ku banonte. Ai u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike gjatë operacionit të zhvilluar në orët e para të mëngjesit.

Në vijim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për kryeplakun e fshatit Shëmri dhe specialistin e pyjeve, pasi dyshohet se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale në zonën e tyre. Bashkëpunimi me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë do të vazhdojë për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT