Adriatik Roshi, 48 vjeç, vazhdon të jetë i shtruar në spitalin e Traumës në gjendje stabël, por ende në rrezik për jetën për shkak të dëmtimeve të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 janar në një berberhane pranë kryqëzimit tek ish-“Shqiponja”, në rrugën “29 Nëntori”.
Pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë tregojnë momentet dramatike, kur katër persona të maskuar dhe të “armatosur” me shufra hekuri dhe sëpata sulmojnë biznesmenin Roshi. Dy persona të tjerë qëndronin si roje në derë. Pasi e tërhoqën zvarrë dhe e shtrinë në tokë, ata filluan ta godasin brutalisht.
Policia ka arrestuar dy nga autorët e dyshuar, Gani Koçeku, 24 vjeç, dhe Ledio Tusha, 31 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim katër të tjerë: Ronald Koçeku, Luçiano (Artur) Koçeku, Gëzim Koçeku dhe Dino (Abedin) Koçeku. Gjatë kontrollit në banesat e tyre, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një armë gjahu.
Ngjarja dyshohet se lidhet me një sherr të ndodhur më 24 gusht 2024 në një resort luksoz në Palasë, ku Luçiano Koçeku u plagos rëndë. Konflikti, që filloi për një shishe shampanjë, përfshiu disa persona dhe u bë viral në rrjetet sociale. Edhe pse emri i Adriatik Roshit nuk u përmend zyrtarisht atëherë, ngjarja e fundit në Tiranë shihet si një shenjë hakmarrjeje për incidentin në Palasë.
Adriatik Roshi njihet si mik i Fatmir Bejos, një personazh i shpallur në kërkim për dy ngjarje kriminale në Tiranë. Megjithatë, përfshirja e tij në sherrin e Palasës mbetet e pakonfirmuar.
Policia vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve të shpallur në kërkim.