Menjëherë pas përfundimit të takimit me ministrat në Pogradec, kryeministri Edi Rama zhvilloi një video live në rrjetet sociale, gjatë rrugës së kthimit drejt Tiranës, ku foli për diskutimet e zhvilluara në mbledhjen e qeverisë dhe prioritetet për vitin e dytë të mandatit.
Gjatë komunikimit, Rama u ndal edhe te protestat e zhvilluara në kryeqytet, të cilat i cilësoi si një “dhuratë”. Sipas tij, Shqipëria nuk ka pasur një opozitë efektive dhe protesta shërbeu si një zë qytetar që i tregoi qeverisë nevojën për të bërë më shumë.
“Protesta për mua ishte një dhuratë, sepse Shqipëria nuk ka pasur opozitë. Ishte një meritë e asaj proteste që ne të dëgjonim një zë qytetar që thotë se sot ne meritojmë më shumë”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se, në këndvështrimin e tij, nga kjo situatë mund të dalin më të fortë si qytetarët, ashtu edhe qeveria, pasi protesta ka shërbyer si një shtysë për një qasje të re në qeverisje.
Kryeministri foli gjithashtu për temat e diskutuara gjatë takimit me ministrat, duke përmendur qasjen e re të Partisë Socialiste në territor dhe risitë që pritet të shoqërojnë vitin e dytë të mandatit qeverisës.
Një prej programeve që Rama e cilësoi si të rëndësishëm për fazën e ardhshme është programi i strehimit, i cili pritet të jetë pjesë e prioriteteve të qeverisë në vijim.





