Besimi popullor se “gjakun e ëmbël” e duan më shumë mushkonjat duket se nuk është i saktë. Një studim ndërkombëtar, i publikuar në revistën Global Ecology and Biogeography, ka zbuluar se mushkonjat nuk kanë preferenca fikse për viktimat e tyre, por sjellja e tyre ushqyese është shumë më fleksibile nga sa mendohej.
Studimi, i udhëhequr nga biologu Konstans Wells në Universitetin e Swansea, analizoi mbi 15.600 vakte gjaku të mushkonjave duke përdorur teknika gjenetike për të identifikuar me saktësi speciet pritëse. Rezultatet krijuan një hartë globale të preferencave ushqimore për gjashtë speciet kryesore nga këndvështrimi shëndetësor:
• Culex – mushkonja e zakonshme, shumë “e pangopur”: ushqehet nga 179 deri në 321 lloje, përfshirë shpendë, gjitarë, reptilë dhe amfibë.
• Aedes – ku bën pjesë mushkonja tigër, është më selektive, duke zgjedhur vetëm 26 deri në 65 lloje.
• Anopheles – përgjegjëse për përhapjen e malaries, ka preferenca më të ngushta, vetëm 7 deri në 29 lloje.
Studimi tregon se Aedes dhe Anopheles kanë një prirje të qartë për gjakun e njeriut, duke i bërë këto specie veçanërisht të rrezikshme për shëndetin publik, sidomos në zonat urbane. Në anën tjetër, disa lloje të tjera preferojnë më shumë bagëtitë apo shpendët.
Ky është studimi i parë që përdor metoda gjenetike në një shkallë kaq të gjerë për të analizuar zakonet ushqyese të mushkonjave dhe përfaqëson një hap të madh përpara në monitorimin global entomologjik.






