Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi këtë javë një listë të gjatë me vendime që japin leje ndërtimi apo zhvillimi në disa projekte të rëndësishme qoftë në infrastrukture, energji apo turizëm.
Në listën e publikuar të KKT rezulton të jetë dhënë leja e ndërtimit për Tunelin e Llogorasë, një projekt që është në fazë prokurimi dhe për të cilin afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 28 korriku. Tuneli i Llogorasë është një nga projektet e kushtueshme infrastrukturore të hapur nga qeveria këtë vit me një fond limit mbi 18 miliardë lekë.
Një tjetër vendim që bie në sy është leja e ndërtimit për parkun fotovoltaik të Karavastasë. Ky i fundit më herët përmes shoqërisë Karavasta Solar pjesë e Voltalia mori lejen e zhvillimit. Me një kapacitet të instaluar 140MË parku do të shtrihet në një sipërfaqe 210 Ha nga ku 196 janë për vendosje panelesh. Kompania në një dokument të sajin parashikonte re muaj punime për të bërë gati terrenin dhe 8 muaj për të përfunduar komplet investimin. Një tjetër projekt infrastrukturor që ka marrë lejë zhvillimi është ai për rishikimin e projektit për segmentin rrugor të vazhdimit të Unazës së Madhe të Tiranës nga Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues Autoritetin Rrugor Shqiptar.
KKT miratoi edhe një listë të gjatë për projekte hotelesh, resortesh dhe vilash në bregdet. Të tilla janë leja e zhvillimit për Green Coast Hotel, apo ajo për resortin turistik Green Coast 3, që do të jetë i treti që shoqëria Grean Coast do të ndërtojë në zonën e Himarës. Po kështu është miratuar edhe leja e ndërtimit për Kakome Bay, një projekt që ka vite që lakohet apo Cape of Rodon që ndodhet në zonën e Ishmit në Durrës.
Në Himarë është dhënë leja e ndërtimit për për objektin: “Kompleks turistik me Vila”, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Investment Group” sh.p.k. Një tjetër leje zhvillimi është dhënë për objektin: “Objekt hoteleri, shërbime dhe pishinë, Gjilekë, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Bega-07” sh.p.k. Është dhënë dhe leja e zhvillimit për vijimin e Unazës: “Rikualifikim i Unazës Lindore për Lotet 4, 5, 6”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues Autoritetin Rrugor Shqiptar.