Akademiku dhe profesori Artan Fuga ka dhënë këndvështrimin e tij mbi problemin e muzikës në Lungomare, masës kufizuese për ta ndaluar pas orës 23:00 dhe shqetësimit të pronarëve të lokaleve.
Në një shënim në rrjetin social Facebook, Fuga thekson se lokalet, tavernat dhe Pubet duan muzikë, madje të fortë, sa ta hajë krahu!
Sipas tij, secili ka të drejtën e vet, puna është se modelimi i gabuar urban i ka vendosur këto tre realitete sociale, cip mbi cip, në të njejtin vend ndërkohë që ato nuk mund të bashkëjetojnë.
Për Fugën, shkaku kryesor është modelimi i keq i pjesës së qytetit të Vlorës ku kalon Lungomare. Shkaktarë për këtë janë Bashkia e Vlorës dhe pushteti duke vendosur realitete të papajtueshme dhe tani ndërhyjnë për të zgjidhur situatën me policinë e dhunshme.
STATUSI NGA ARTAN FUGA
Muzika e Lungo Mares në Vlorë
Nuk është fare se muzika është e keqe. Kush e ka të drejtën e përcaktimit se kush është muzikë e mirë apo e keqe?
Gëzimi është gjithmonë i zhurmshëm!
Nuk është fare se ka ndotje akustike! Ajo që ti e quan zhurmë, për festuesit brenda lokaleve është një ritëm gjallërues, një ekstazë.
Nuk është fare te Covid 19 dhe nuk zgjidhet me polici ajo që është krijuar si kaos.
Fut në burg njerëz sepse kryejnë profesionin e tyre si pronarë lokalesh, kjo është prapësi.
Po atëhere si?
Si?
Shkaku është Modelimi i keq i asaj pjese të qytetit, ku bashkohen ndërtimet gjigande, pra familjarë që janë banorë qyteti dhe nuk ja kanë ngenë zhurmave.
Shëtitorja që grish për shëtitje të qeta.
Lokalet, tavernat, pubet që doemos duan muzikë, madje të fortë, sa t’a hajë krahu!
Secili ka të drejtën e tij, puna është se modelimi i gabuar urban i ka vendosur këto tre realitete sociale cip mbi cip në të njejtin vend ndërkohë që ato nuk mund të bashkëjetojnë. Askund nuk bashkëjetojnë!
Bashkia dhe pushteti qendror pasi e krijuan problemin duke vendosur në një pikë dhe hapësirë urbane realitete të papajtueshëm, tani ndërhyjnë për të zgjidh konfliktet që kanë krijuar vetë.
Politikat urbane krijojnë tensione, policia i zgjidh me dhunë!
Ja rrënja e problemit. Mbishfrytëzimi i hapësirës urbane për qëllime mbifitimi dhe politikat e gabuara urbane, përtej një estetizmi gjigandoman, që sjellin probleme të pazgjidhëshme dhe që në fund bien mbi banorët e qytetit, mbi pushuesit, mbi festuesit dhe mbi pronarët e lokaleve.
Në vend të planifikimit racional urban, i vetmi kriter mbishfrytëzimi i hapësirës urbane. Kështu ndodh edhe për probleme të tjera!
Bashko në një varkë ujkun, qingjin dhe lakrën dhe pastaj ëndërro se në varkë do ketë paqe dhe mirëkuptim!